Kinë, 7 prill 2014 – Policia kineze ka vendosur të mos marrë asnjë masë ndaj një nëne, e cila ka rrahur brutalisht me varëse rrobash djalin e saj 6-vjeçar, pasi nuk kishte bërë detyrat e shtëpisë.
Dëmtimet e Xiao Bingut u zbuluan nga edukatorja e kopshtit në momentin që ai po ndërrohej për orën e gjimnastikës. Menjëherë ajo lajmëroi policinë, por autoritetet nuk morën masa ndaj nënës, pasi sipas tyre dëmtimet nuk ishin aq të rënda sa dukeshin.
Zëdhënësi i policisë tha: “Djali nuk bënte detyrat dhe prindërit na thanë që duhet t’i jepnin një mësim të mirë. I paralajmëruam që në të ardhmen të mos e rrihnin aq shumë.”
E nxehur nga fakti që policia nuk bëri asgjë, edukatorja i ka bërë foto kurrizit vija-vija të djalit dhe i ka postuar në internet për të treguar ashpërsinë me të cilën trajtohen fëmijët kinezë nga prindërit e tyre kur vjen puna për mësimet.
Dy javë më parë, një nxënës në Kinë u hodh nga dritarja e klasës ku po bënte mësim dhe mediat në atë kohë fajasuan sistemin e ashpër arsimor kinez. Gjithsesi ndëshkimet ekstreme të prindërve kinezë ndaj fëmijëve të tyre nuk janë një fenomen i panjohur në Kinë.
Një javë më parë, babai lidhi djalin e tij me zinxhirë në krevat, pasi ai ishte hajdut. Sipas babait, djali po turpëronte familjen dhe me vesin e tij shumë shpejt do të përfundonte në burg.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





