Një nënë 32-vjeçare vuan nga një sëmundje e rrallë autoimunitare e shtatzënisë që i shkakton plagë në zonën e barkut. Fiona Hooker vuri re se zona e stomakut ishte mbushur me pulla të kuqe që i kruheshin kur ishte 31-javëshe shtatzënë.
Por, për pjesën e mbetur të periudhës së shtatzënisë, iu desh të duronte këto pllaka të kuqe që u shndërruan në flluska të dhimbshme pas lindjes. Ajo shpjegon se ndjesia e fillimit të tyre ishte si “djegie hithre”, por dhimbja u shtua derisa u bë e padurueshme.
Mjekët e diagnostikuan me Pemphigoid Gestationis dhe thanë se një gjen i ADN-së së djalit e bënte sistemin e saj imunitar të sulmonte lëkurën. Nga njëri mjek te tjetri, ajo përfundoi te një dermatolog që i rekomandoi një krem të fuqishëm me steroide. “Ishte sikur kisha alergji ndaj bebes sime”, thotë ajo.
Gjatë shtatzënisë së parë me vajzën, Fiona nuk vuajti nga kjo sëmundje, ndaj mjekët mendojnë se ADN-ja e babait ngacmon placentën, e cila fillon të prodhojë një proteinë të pranishme në lëkurë, pra trupi sulmon këtë të fundit.
Por pas lindjes, problemi u rëndua edhe më tepër sepse flluskat e dhimbshme mbuluan stomakun, kofshët, krahët dhe kraharorin e saj duke mos e lejuar të mbante dot të voglin që kishte sjellë në jetë. “Nëse i kruaja, lehtësohesha, por sigurisht që plasnin flluskat dhe binte lëkura, ndaj më mbesnin vetëm shtresa të saj që dhimbnin dhe krijoheshin flluska të tjera sipër tyre”.
Pas 6 muajsh trajtim me steroide, Fiona mundi të shërohej përpara ditës së Krishtlindjeve. Tashmë ajo përdor platformën e saj në internet për të ndërgjegjësuar njerëzit për sëmundjen e rrallë që prek 1 në 50.000 gra.





