Itali, 16 prill 2014 – Një dramë të vërtetë kanë kaluar për muaj me rradhë tre fëmijët e një nëne single, me origjinë nga Turqia, por që banonte në Itali prej vitesh. Djali 16 vjeçar dhe dy vajzat 10 dhe 4 vjeçe të gruas, janë turturuar për muaj me rradhë nga kjo e fundit.
Mediet italiane raportojnë se 37 vjeçarja Afef i kishte lënë fëmijët e saj të mbyllur në një dhomë jashtë çdo kushti higjenik, ndërkohë që në frigorifer kishte vetëm ushqime të skaduara. Sipas policisë, kjo gjendje vijonte prej muajsh dhe nëna përveç dhunimit fizik i ofendonte dhe terrorizonte shpesh fëmijët e saj.
Rasti më flagrant është shënuar në muajin janar të vitit të kaluar, kur e kapur nga një krizë histerie, gruaja ka kapur mikun e vetëm të fëmijëve, një qenush të vogël dhe e ka hedhur nga dritarja duke i shkaktuar vdekjen. Kjo ngjarje ka shtyrë djalin 16 vjeçar të ikë nga shtëpia dhe t’i drejtohet karabinierëve për ndihmë. Këta të fundit, kur kanë shkuar në shtëpinë e 37 vjeçares kanë arrestuar këtë të fundit, ndërsa fëmijët i kanë kaluar shërbimeve sociale për përkujdesje.
Gruaja tashmë do të përballet me gjyqin me akuzat keqtrajtim i të miturve dhe kafshëve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





