TIRANE – Nënat e reja u rikthehen lindjeve normale. Pas tendencës disavjeçare për rritje të lindjeve cezariane, kurba ka ndryshuar. 

Vitin që lamë pas vetëm 1/ 3 e bebeve kanë ardhur në jetë me operacion. Drejtuesit e materniteteve pohojnë se krahasuar me dy vjet më parë, vihet re një kërkesë më e lartë e nënave për të kryer lindje normale. Megjithatë, referuar statistikave, ato sërish kapërcejnë 20% të totalit të lindjeve. 

Në maternitetin “Koço Gliozheni”, për vitin 2012 janë regjistruar rreth 1500 lindje cezariane, kundrejt 4433 lindjeve normale. Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” rreth 1900 lindje kanë qenë me operacion, ndërsa në total janë regjistruar 7004 të tilla. 

“Synimi ynë është që të mbajmë raportet e lindjeve 20% me 80% në favor të atyre natyrale. Është e vërtetë që ka një tendencë rritjeje nga vetë nënat për të mos përzgjedhur lindjet me operacion”, thotë Rubena Moisiu, drejtoreshë e maternitetit “Koço Gliozheni”. Në vitin që u mbyll erdhën në jetë në dy maternitetet 11 437 bebe. 

Abortet 

Në të dyja maternitetet, për vitin 2012 janë regjistruar 2836 aborte. Shifrat tregojnë se numri i tyre është ulur në krahasim me një vit më parë. “Këtë vit kishim rreth 100 aborte më pak. Është detyrë e mjekëve që të bëjnë maksimumin, në mënyrë që nënat të mos e shohin abortin si metodë të planifikimit familjar. Me rregulloren e re, që nuk i lejon më abortet në klinika private, do të mund të kemi të dhëna më të sakta për këtë fenomen”, tha Halim Kosova, drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.