Një djalë 8-vjeçar e ka marrë kontrollin e makines në Britaninë e Madhe dhe e ka vendosur mjetin në një hapësirë të sigurt në një rrugë të ngarkuar, pasi nënës së tij i humbi vetëdija ndërsa ishte në timon. Ben Hedger ishte duke u kthyer nga shkolla me nënën e tij kur ndodhi ky rast.
Kur vetura kishte dalë nga kontrolli, Beni i kishte ndezur katër treguesit e drejtimit dhe e kishte kthyer veturën nga shiriti i ndaljes. Nëna e tij ka deklaruar se është shumë krenare me të birin e saj. “Kur fillova të trullosem, e shtrëngova timonin dhe bëja levizje të pakontrolluara, prandaj edhe e goditëm një pengesë në rrugë. Ne po dilnim nga rruga dhe Beni e ka kuptuar se duhet të bënte diçka”, tha ajo.
Zonja Smith thotë se Beni nuk e ka ditur se sa serioze është situata. “Ai e kuptoi se diçka nuk është në rregull me mua, por nuk e dinte se ka bërë këtë veprim të mrekullueshem. Ai me tha se e bëri atë që duhet të bënte, sepse përndryshe do të vdisnim”, shtoi ajo. Drejtuesja e mjetit tha se një humbje e ndjenjave si kjo nuk i kishte ndodhur asnjëherë më herët, shkruan “BBC”.





