5 nëntor 2015 – Nënkryetari i bashkisë së Durrësit Zhulien Varfai nuk pyet për rregulla apo parkim. Ai është nënkryetari i bashkisë dhe ky post me sa duket i jep luksin që ta parkojë makinën e tij ku t’i vijë për mbarë.
Në këtë foto shihet qartë që makina e tij luksoze “Chrysler” është parkuar përpara institucionit ku ai punon, në një kohë që bashkia e Durrësit ka dy garazhe të disponueshme për parkimin e mjeteve të titullarëve dhe punonjësve. Por, garazhet nuk dihet nëse janë funksionalë apo jo, për sa kohë që makinat e krerëve të bashkisë i sheh të parkuara te pllakat prej mermeri në shesh.
Në këtë pjesë, parkojnë automjetet e diplomatëve dhe delegacioneve të huaja kur zhvillojnë takime pune në bashkinë e Durrësit. Por, këtij grupi i bashkëngjiten dhe makinat luksoze të krerëve të bashkisë.
Qytetarët në Durrës vuajnë për parkim
Durrësi është një nga qytetet me numrin më të madh të automjeteve në vend. Prej kohësh, qytetarët vuajnë mungesën e vendeve publike ku mund të parkojnë automjetet e tyre. Pas rikonstruksionit të qendrës së Durrësit, mundësia për të parkuar makinat është akoma më e vështirë. Durrsakët ankohen shpesh, pasi e kanë gati të pamundur të gjejnë një vend ku mund të lënë makinat e tyre dhe rreth e rrotull qendrës as nuk bëhet fjalë. Madje dhe banorët e zonës detyrohen të përshkojnë disa herë të njëtën rrugicë ku kanë shtëpinë, për të gjetur dhe ata një vend parkimi.
Por jo vetëm në qendër, por edhe në rrugë të tjera kryesore në qytet, has gjithnjë të njëjtin problem. Mbi të gjitha në stinën e verës, kur numri i popullsisë në Durrës gati dyfishohet dhe zgjidhja më e mirë për disa mbetet ta lënë makinën në shtëpi e të lëvizin në këmbë.
/S.L. portali DurresLajm/





