Nënkryetari i PD-së së Durrësit Arlind Boshku, në një intervistë për newsbomb.al ka treguar detaje nga ajo që pritet të ndodhë më datë 2 qershor kur do të zhvillohet protesta e rradhës kombëtare.

Boshku thotë se të paktën 4 mijë qytetarë do të nisen nga Durrësi drejt Tiranës për të protestuar për papunësinë, krimin e organizuar në qytet, shëndetësinë, arsimin apo klikën e krimit siç e cilëson ai qeverisjen e kryeministrit Rama.

Sa i takon kohëzgjatjes së protestës, nënkryetari i PD-së së Durrësit thotë se këtë gjë do ta vendosin qytetarët ndërsa nuk ka lënë pa ironizuar edhe kandidaten e PS-së për Bashkinë e Durrësit, Valbona Sakon.

INTERVISTA:

Çfarë do të ndodhë më datë 2 qershor?

Do ketë një pjesëmarrje masive të qytetarëve. Nga Durrësi, të paktën katër mijë persona do nisen drejt Tiranës për të protestuar për këtë situatë alarmante shkaktuar nga kjo qeveri që ka zhytur njerëzit e ndershëm e të rinjtë e qytetit në papunësi e mjerim. Krimi i organizuar po qeveris Durrësin përmes klikës së tij. Arsimi dhe shëndetësia falas aq shumë e propaganduar kanë dështuar. Qytetarët janë të lodhur, të zemëruar, uan largimin e kësaj qeverie kriminale.

Sa pritet të zgjasë protesta e 2 qershorit?

Këtë do e vendosin qytetarët. Ne do qendrojmë me ta, në çdo moment.

Gjatë këtyre muajve, kemi parë skenare të ndryshme nga opozita. Në disa protesta ka patur akte dhune ndërsa në disa të tjera gjithçka është kontrolluar dhe ka shkuar pa incidente. Si me protestën e 25 majit kur organizatorët e PD nuk lejuan turmën të përshkallzonte në akte të dhunshme. Këtë herë, si do jetë skenari?

Unë nuk mund të flas për qytetarët dhe as nuk i kontrolloj dot. Ata janë shumë dhe gjithnjë po bëhen edhe më shumë. Duhet të dini se atyre u ka ardhur shpirti aty ku s’mban më. Janë të gjithë të irrituar me sjelljen arrogante të kryeministrit i cili kurrë s’i ka dëgjuar por veç i ka poshtëruar dhe i ka zhytur në mjerim. Revolta e tyre s’mund të kontrollohet nga asnjë organizator.

Sa gjatë do vazhdohet me protesta se ndërkaq kemi hyrë në stinën e verës… Temperaturat po rriten, pushimet po afrojnë dhe ndoshta nuk do të keni këtë pjesëmarrje që keni sot!

Në do të vazhdojmë derisa të japë dorëheqjen kryeministri, të shkohet në qeveri tranzitore, dhe të krijohen të gjitha kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përkundrazi, në çdo protestë shtohet pjesëmarrja dhe akoma më shumë do jemi edhe më datë 2 qershor.

A mendoni se rrëzimi i Ramës do vijë nga protestat, deri tani nuk ka ndodhur…

Dita kur do rrëzohet kryeministri është shumë e afërt. Ai e di që nuk ka rrugë tjetër veç dorëheqjes. Letrat që ishin e vetmja shpresë e tij, kanë marrë vetëm një përgjigje nga qytetarët: Rama ik!

Në strukturat e PD-së së Durrësit, a përflitet për ndonjë kandidat të mundshëm, apo fokusi juaj janë vetëm protestat?

Në PD-në e Durrësit flitet vetëm për organizimin e protestave dhe largimin e kryeministrit. Ne s’kemi asnjë kandidat dhe asnjë emër deri në krijimin e qeverisë tranzitore. Por ju siguroj se kur të krijohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, edhe dy Valbona po të bëhen bashkë, nuk na mundin dot! /Newsbomb.al