DURRËS, 11 tetor 2013 – Burime nga stafi i projektit të portit të ri të peshkimit flasin për një incident që i paska ndodhur drejtorit Aleksandër Garuli me policinë kroate. Në fund të shtatorit kompania austriake Strabag SE, që po ndërton portin e peshkimit, ka organizuar një ekskursion në Split me punonjës të projektit të zbatimit. Garuli ka shkuar më vonë. “Dyrrah”-u e konsideron të pabesueshëm faktin se politikani durrsak Garuli është mbajtur për një kohë të gjatë në mjediset e policisë së Splitit. Flitet se nënkryetarit të PRSH-së për organizimin i kanë dalë probleme me vizat dalëse në pasaportën ndërkombëtare. I mbetet Garulit të pohojë apo mohojë këta zëra. Garuli ka famën e keqe, teksa hoqi nga puna të vetmin inxhinier portesh në Shqipëri, bashkautor i projektit të portit të peshkimit, dhe në vend të tij emëroi një inxhinier tekstili. Mësohet se, sa kohë që sektori i peshkimit ende nuk është ndarë nga Ministria e Mjedisit, në krye të të cilit është Lefter Koka, kunati i deputetit të PR-së, Agron Duka, vështirë se nënkryetarin e PR-së e heq njeri nga drejtimi në projektin e portit të peshkimit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/