Marrëveshjen ekonomike të arritur sot në Uashington me Serbisë, kryeministri Avdullah Hoti e ka konsideruar “një hap para për arritjen e marrëveshjes finale për njohjen e Kosovës”.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Hoti u shpreh se marrëveshja e sotme i hap rrugë normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ndërsa shtoi se do të ketë takime të tjera me Presidentin Serb, Aleksandër Vuçiç.

Po ashtu, Hoti konfirmoi edhe lajmin për njohjen e Kosovës nga Izraeli.

“Një lajm shumë i mirë për Kosovën, presim ët marrim shpejt njohjen nga Izraeli dhe të vendosim marrëdhënie të shpejta diplomatike. Kjo është një arritje shumë e madhe me ndihmën e SHBA. Marrëveshja i hap rrugë normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Sot është hapi i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve ekonomike. Kjo sot nuk është një marrëveshje finale, por unë e shoh si një hap të madh për marrëveshjen finale që është njohja e Kosovës nga Serbia. Bisedimet vazhdojnë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohjen e Kosovës”, u shpreh Hoti.