Gjatë vizitës në Madrid, Spanjë, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Holta Zaçaj, është pritur sot në një takim zyrtar nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Mbretërisë së Spanjës, Cándido Conde-Pumpido Tourón.
Gjatë këtij takimi, të dyja palët nënshkruan një Marrëveshjeje Bashkëpunimi.
Sipas një njoftimi zyrtar mësohet se qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje është ngritja dhe zhvillimi i një kuadri bashkëpunimi institucional midis Gjykatës Kushtetuese të Spanjës dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.
“Qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje është ngritja dhe zhvillimi i një kuadri bashkëpunimi institucional midis Gjykatës Kushtetuese të Spanjës dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, nëpërmjet organizimit të aktiviteteve me interes të përbashkët që lidhen me juridiksionet respektive, sikurse janë ndarja e informacionit për çështjet ligjore, jurisprudencat dhe materialet kërkimore, vizitat studimore të anëtarëve të të dyja institucioneve për shkëmbimin e përvojave, bashkëpunimi reciprok për publikimet, zhvillimi i seminareve, konferencave dhe veprimtarive të tjera të ngjashme që nxisin bashkëpunimin institucional.
Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, D.Álvaro Renedo Zalba, si dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Spanjë, znj. Entela Gjika”, njofton Gjykata Kushtetuese.