*Nënshkruhet marrëveshja për financimin e rrjetit të Ujësjellësit Durrës, mes Qeverisë Shqiptare dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit
Sot u nënshkrua marrëveshja për financimin e rrjetit të Ujësjellësit Durrës, mes Qeverisë Shqiptare dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit, me ministren franceze të Shtetit për Europën, Laurence Bonne, për të ndërhyrë me një investim masiv në gjithë zonën e Durrësit që plotëson një proces të gjatë, transformimi të gjithë sistemit të ujësjellësit të Durrësit.
Në praninë e kryeministrit Rama u firmos nga përfaqësuesit e qeverisë shqiptare dhe ministres franceze të Shtetit për Europën, Laurence Bonne, marrëveshja e kredisë në shumë 60 milionë euro dhe marrëveshja e grantit për asistencë teknike në shumën 1 milionë euro.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë, kryeministri Rama u shpreh:
“Përpara se t’ia lë fjalën ministres së Financave dhe të Ekonomisë, dëshiroj të shpreh kënaqësinë për këtë firmosje të rëndësishme të një marrëveshje të dakordësuar në parim qysh në krye te herës, por të bërë të mundur falë përfshirjes së drejtpërdrejtë të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, për të ndërhyrë me një investim masiv në gjithë zonën e Durrësit që faktikisht plotëson një proces të gjatë, të ndërlikuar transformimi të gjithë sistemit të ujësjellësit të Durrësit.
Përfitoj nga rasti të kujtoj këtu që kur tragjedia e 26 nëntorit ndodhi, Emmanuel Macron ishte ndër më të parët që u interesua për situatën, ishte ndër ata kolegë evropianë që në mënyrë të vazhdueshme në ato ditë të vështira pyeste për ecurinë e kërkim-shpëtimeve, angazhoi menjëherë një trupë kërkim-shpëtimi franceze e cila erdhi në Shqipëri dhe bëri disa operacione të rëndësishme duke shpëtuar jetë njerëzish në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme për ata vetë dhe më pas, presidenti u angazhua personalisht duke e përfshirë drejtpërdrejtë Francën në gjithë grupin e vendeve që premtuan mbështetje financiare, duke dërguar ministrin e Jashtëm në konferencën e thirrur enkas për të mbledhur fonde për tërmetin në Bruksel dhe ja ku jemi sot, kurorëzojmë një proces të gjatë, por njëkohësisht edhe domethënës për të gjithë ata që mund të kenë pasur dhe mund të kenë akoma pikëpyetjet e tyre lidhur me angazhimin e atyre fondeve në konferencën e Brukselit, pasi janë fonde që një pjesë e tyre, janë futur në procesin e zbatimit, me programin e BE për shkollat, për kopshtet, për çerdhet e për sitet e trashëgimisë kulturore dhe një pjese e tyre janë në proces, siç është ky fond, apo siç është fondi tjetër angazhuar nga Italia, përsëri për zonën e Durrësit, por këtë rast për peshkimin dhe nga ana tjetër për gjithë logjistikën dhe strukturat e emergjencës civile.
Agjencia Franceze është e angazhuar në këtë rajon prej shumë pak kohësh. Faktikisht në ato momente dhe sot po të shikojmë ecurinë, ka një rritje shumë të konsiderueshme të fondeve për zonën e Ballkanit dhe kjo është shprehje e një interesimi të drejtpërdrejtë të presidentit, e një interesimi të drejtpërdrejtë e qeverisë franceze, të Francës për Ballkanin si asnjëherë më parë, për hir të së vërtetës, si asnjëherë më parë dhe për këtë unë jam shumë falënderues dhe jemi njëkohësisht shumë të kënaqur sepse Agjencia Franceze e Zhvillimit nuk është një bankë që jep fonde, por është mbi të gjitha një bankë dijesh, që sjell dije, sjell eksperiencë, sjell mundësi të reja për procese që kanë nevojë për t’u përmirësuar dhe për t’u rritur cilësisht në të gjitha aspektet në rajonin tonë dhe në Shqipëri. Shumë faleminderit!
Ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se kjo do të ndihmojë që qarku i Durrësit të ketë 24 orë ujë.
“Do kontribuojë në synimin për ujë 24 orë dhe do ndihmojë në zonën e Fushë Kuqes dhe Fushë Krujës”, tha Ibrahimaj.
Ministrja franceze e Shtetit për Europën, Laurence Bonne:
Dua t’ju them që ju do të keni gjithmonë mbështetjen e Francës për t’ju ndihmuar për aq sa të keni nevojë, për aq sa te jetë e mundur. Sigurisht besoj që metodologjia e re për negociatat e aderimit është një proces shumë interaktiv që do t’ju bëj të mundur të shkëmbeni përgjatë rrugës dhe është shumë më pak dyanësorë.
Që prej 3 vitesh Agjencia Franceze e Zhvillimit është në Shqipëri dhe vepron nëpërmjet huadhënieve dhe shpresoj që kjo do të vazhdojë. Gjithçka që bëjmë bashkë krijon lidhje besimi, lidhje bashkëpunimi dhe besoj që do të përforcohet nga marrëveshjet që sapo firmosëm siç e thatë dhe ju për financimin e rindërtimit të rrjetit të ujësjellës kanalizimit të qytetit të Durrësit me këtë hua dhe këtë grant. Ky ishte një ilustrim i mbështetjes së miqësisë së Francës për Shqipërinë dhe që u shpreh pas tërmetit të rëndë të vitit 2019.
Një fushë e fundit që dua të përmend, bashkëpunimi në fushën e kulturës, të arkeologjisë. Ju keni një vend fantastik për këtë dhe të frankofonisë sepse mund të kemi diskutime në frëngjisht shumë të forta, shumë të pasura dhe dua t’ju rikujtoj angazhimin tuaj për pluralitetin dhe pavarësinë e mediave dhe për ta çuar përtej kufijve tuaj sepse ju nënshkruat në 11 nëntor në Paris në emër të Shqipërisë pjesëmarrjen në partneritetin ndërkombëtar për formimin dhe demokracinë që u iniciuan nga Reporterët pa Kufij, është një OJF që harton një “road map” për të gjithë vendet për lirinë e shtypit dhe që është e rëndësishme për ne sepse mediat ndoshta ndodhen në situatë të keqe ndonjëherë nga të gjithë rrjetet sociale.
Jam shumë e gëzuar që e shoh Shqipërinë të integrohet në BE dhe të ecë drejt këtij integrimi dhe që është një aktore kaq e rëndësishme e komunitetit politik europian.





