Në kuadër të projektit “Zgjerimi dhe fuqizimi i sistemit të ndërmjetësimit në Shqipëri”, Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve zhvilloi në Durrës një seminar ku merrnin pjesë edhe përfaqësues nga Gjykata e shkallës së parë dhe Prokuroria Durrës si dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Ndihmës Ligjore falas.

Objektivi i këtij aktiviteti me avokatë dhe ndërmjetës në Durres ishte që të kontribuonte në zhvillimin e sistemit të ndërmjetësimit si një alternativë profesionale, cilësore dhe e besueshme ndaj Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Qytetarët durrsakë, në një periudhë afatshkurtër, do të kenë një alternativë për zgjidhjen e halleve dhe problemeve te tyre, ndërsa Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve, me këtë projekt do të forcojë e do të rrisë kapacitetet e ndërmjetësve.

Drejtuesit e Gjykatës dhe Prokurorisë Durrës, Anita Jella dhe Paulin Cera dhanë dakortësinë për mbështetjen e sistemit të ndërmjetësimit në arritjen e standardeve më të larta të profesionalizmit dhe besueshmërisë dhe rritjen e të kuptuarit dhe ndërgjegjësimit të përgjithshëm, për të referuar rastet tek Dhoma Lokale e Ndërmjetësimit Durrës, sidomos në çështjet tregtare, pronësore dhe në zbatim të Kodit për të mitur.

Gjatë seminarit, kryetarja e DHKN, Drita Avdyli, argumentoi se rezultati pozitiv i projektit “EmPoMe”, me donator Agjensinë Austriake, nuk do të matet thjesht me rritjen e referimit të rasteve në ndërmjetësim nga gjykatat dhe publiku, por do të rikthejë besimin e publikut tek drejtësia dhe do të ulë e ngarkesën e gjyqësorit, sidomos tani pas zbatimit të Hartës së re gjyqësore.

Një pikë e rëndësishme ishte lidhja e memorandumit të Bashkëpunimit mes Dhomës së Ndërmjetësimit me Drejtorinë e Ndihmës Ligjore Falas, të Ministrisë së Drejtësisë.

Ergys Qirici u shpreh se në Gjykatën e Durrësit përveç avokatit falas do të ketë edhe ndërmjetës falas për shtresat vulnerabël. Avokatët durrsakë diskutuan dhe hodhën sugjerime për këtë formë të re ligjore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ndërsa Dhoma Kombëtare e Ndermjetësimit do të rrisë ndërgjegjësimin dhe fushatën  sensibilizuese në këtë drejtim.