Të bashkuar për një qëllim të vetëm, për t’iu ardhur në ndihmë sa më shumë fëmijëve në nevojë. Është ky qëllimi i ekspozitës së çelur nga 9 piktorë të njohur të qyteteve të ndryshme në ambientet e Galerisë së Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në qytetin bregdetar të Durrësit.

Janë plot 55 tablo të cilat do të qëndrojnë të varura për disa ditë në këto ambjente për të gjithë artëdashësit. Punime të kryera me mjaft mjeshtëri nga piktori Asel Kryemadhi, Dorel Lleshaj, Saimir Malke, Zigrida Berhami, David Kryemadhi, Kreshnik Lleshaj, Erisa Bekteshi, Esmeralda Vladi si dhe artisti Mario Gjini.

Në këtë ekspozitë spikasin ngjyrat e shumta si edhe tematika të larmishme. Një gamë shumë e gjërë punimesh, ku dallohet metoda e punimeve me kafe, sprait dhe pjekje.

Ajo çfarë e shndërroi në të veçantë këtë ekspozitë përveçse punimeve ku tregohet qartë përkushtimi në to, janë edhe punimet artizanale të shumta në numër.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për plot pesë ditë ku të gjithë do të kenë mundësinë të shohin punimet e 9-të artistëve të talentuar, të cilët dëshirojnë të përmbushin misionin e tyre, të bëjnë të lumtur sa më shumë fëmijë në nevojë nëpërmjet të ardhurave që do të mblidhen nga kjo ekspozitë e cila do të vijojë në disa qytete të tjera të Shqipërisë.

K.H.