Vendimet që marrim në jetë, shpesh bien në kundërshtim me perspektivën që ndjekin prindërit tanë, të cilët kërkojnë të ndikojnë në mënyrën se si ne e shohim jetën.
Ndikimi i tyre nis që në fëmijëri dhe duke vazhduar më tej, ata bëhen shkak që në pjesën më të madhe të jetës ne të varemi prej tyre në çdo gjë që mendojmë.
Një gjë e tillë nuk shihet si zgjidhje nga një specialist traume, i cili mendon se prindërit mund të shkaktojnë pasiguri tek fëmijët e tyre në momentin që ata rriten duke i bërë të paaftë në marrjen e vendimeve të rëndësishme.
Gjithnjë sipas Chris Meaden, ndërhyrjet e vazhdueshme të prindërve ndaj fëmijëve, mund të shkaktojnë që këta të fundit të gabojnë dhe t’i përsërisin këto gabime, edhe kur arrijnë moshën e pjekurisë.
“Mënyra se si je trajtuar, gjërat që ke kaluar, madje dhe momentet më të vogla që mund të mbash mend në kohën kur ke qenë fëmijë, mund të lënë mjaftueshëm shenjë në shëndetin tënd mendor si një i rritur”, u shpreh fillimisht Meaden.
Ai ndan disa nga pasojat e ndërhyrjes së tepruar të prindërve tek fëmijëve dhe sugjeron disa teknika si këto “dilema jete” mund të përmirësohen, duke bërë që njerëzit të marrin vendime dhe të ndihen të sigurt për to, pa qenë e nevojshme për të dëgjuar prindërit.
Vendosja e kufijve
Në mënyrë që raporti me prindërit të jetë i rregullt, por nga ana tjetër ata të mos jenë përcaktues për pjesën më të madhe të vendimeve të tua, shihet e domosdoshme vendosja e kufijve. Eksperti beson se një hap i tillë, duke qetësuar të tjerët vetëm për të ruajtur paqen e brendshme, shpesh i ka rrënjët në përvojat e fëmijërisë.
Shmangni konfliktet
Nëse jeni natyrë që i pranoni gjërat siç janë thjesht sa për të shmangur konfliktet e mundshme me prindërit, edhe pse mund të mos ju pëlqejë si situatë, kjo ndodh sepse fëmijëria juaj ka kaluar momente të vështira me prezenca debatesh, ndaj dhe kjo këshillë vlen për të qëndruar më të qetë në këto kushte.
Chris shpjegon se vetëm duke vendosur kufij mund t’ia dalësh të marrësh vendime të duhura, por dhe në anën tjetër duke respektuar marrëdhënien me prindërit. Kjo sipas tij mund të vazhdojë deri në një moshë më madhore.

Frika nga braktisja
Frika e vazhdueshme se një ditë mund të braktisesh në një moshë më madhore mund të vijë si rrjedhojë e përvojave të hershme të paqëndrueshme, të ngjashme si divorci ose neglizhenca.
Mungesa e vetëbesimit
Të rritesh në një ambient familjar ku dashuria prindërore mund të ketë qenë e kushtëzuar, mund të çojë në ulje të vetbesimit kur njerëzit arrijnë një moshë më madhore. Eksperti mendon se përtej përpjekjes së tyre për të arritur përsosmërinë individuale, ata sërish ndjejnë sikur do të dështojnë.
“Shpesh e qortojnë veten për gabime që s’kanë kurrëfarë rëndësie dhe kthehen në kritikë të brendshëm. Kjo ndodh kur më herët kanë përjetuar kritika të vazhdueshme prej prindërve, mësuesve ose bashkëmoshtarëve dhe në këtë mënyrë ata humbasin dhembshurinë që kanë për veten”, thotë Meaden.
Marrëdhëniet toksike
Nëse e gjeni veten në një marrëdhënie që nuk po shkon ashtu siç duhet, nuk është nevoja t’ia ngarkoni të gjithë përgjegjësinë vetes tuaj se po shkon gjithçka keq.
“Nëse dashuria në fëmijërinë tuaj ka qenë e paqëndrueshme, një marrëdhënie e tillë jo e shëndetshme mund t’ju duket normale, edhe pse mund t’ju lëndojë”, shton ai.
Tendenca për t’u ndjerë i kontrolluar dhe pa praninë e tyre
Nëse në fëmijëri, ke përjetuar çaste kur s’mund të bëje asgjë pa patur monitorimin e vazhdueshëm të prindërve, madje dhe kur këta të fundit janë treguar kaotikë dhe të paparashikueshëm, ka gjasë që marrëdhënia juaj përtej jetës familjare të vazhdojë me të njëjtat ritme. Kjo mund të çojë në probleme kur të jeni në një moshë më madhore, si përshembull vështirësitë për të deleguar detyra në punë, ose kur jeni në panik në momentin që planet tuaja ndryshojnë rastësisht.
Ndjenja e të qenit i distancuar nga të tjerët
Në fëmijëri njihemi me të gjitha emocionet, duke përfshirë këtu dhe ndjenjën e të mënjanuarit. Të qenit i bezdisshëm ose jo i përshtatshëm për rrethin shoqëror, mund të bëjë që emocionet të ndrydhen dhe njerëzit të vazhdojnë të mendojnë kështu për veten dhe kur shkojnë në një moshë më madhore.

Reagime të panevojshme
E keni vënë re nëse në punë kritikoheni për atë çfarë nuk po bëni siç duhet dhe papritur ndiheni sikur keni dështuar në përmbushjen e kësaj detyre? Ose në rastin e një marrëdhënie, partnerja të kërkojë hapësirë prej teje, duke bërë që të ndihesh i braktisur?
Sipas ekspertit, këto reagime vijnë shpesh nga plagët e vjetra që keni kaluar dhe nuk janë shëruar siç duhet.
“Truri lidh situatat e tanishme me lëndimet e së kaluarës, duke shkaktuar një përgjigje shumë më të madhe sesa e kërkon vetë situata”, thotë Meaden.
Besimi i lëkundur
Është e pashmangshme që, në rast se keni përjetuar një fëmijëri të vështirë, të ndjeni se keni një betejë të vazhdueshme me besimin në raport me të tjerët. Gjithmonë do dyshoni se njerëzit mund t’ju zhgënjejnë dhe kur këta e kanë treguar se mund të jenë besnikë ndaj jush. Është fare e thjesht për t’u kuptuar, sqaron eksperti, i cili e lidh me përvojat që i kanë rrënjët në fëmijëri.
Chris sugjeron se shërimi i plagëve të fëmijërisë në përgjithësi nuk lidhet aspak me ndjenjën e fajësisë për të kaluarën tuaj, ndaj ai këshillon njerëzit që të mendojnë “më qartë” për të kuptuar se si këto eksperienca e kanë formuar karakterin e tyre në mënyrë që ata të vazhdojnë jetën për të rishkruar një tjetër histori.
Një metodë efikase sipas tij janë terapitë, stërvitjet, si dhe ditari ku çdokush mund të shkruajë përvojat e tij në mënyrë që të ndihet më i lehtësuar dhe pse jo të shërohet nga plagët e vjetra.