Dhjetë të arrestuar, mes të cilëve 9 shqiptarë, është bilanci i një operacioni antidrogë të policisë italiane.

Mediet italiane raportojnë se të arrestuarit janë të moshës nga 22 në 54 vjeç, ndërsa identitetet e tyre nuk bëhen ende me dije.

Aksioni policor u zhvillua në krahinat e Vareses dhe Torinos. Të arrestuarit akuzohen për trafik kokaine, marijuane dhe heroine.

Gjatë hetimeve që zgjatën 8 muaj, policia konfiskoi edhe një bllok shënimesh, në të cilin ndodheshin dërgesat e drogës dhe të ardhurat nga trafiku.

Sipas të dhënave në atë bllok, rezulton se fitimet nga aktiviteti kriminal i shitjes së lëndëve narkotike janë mbi dy milionë euro.