Që nga dita e henë, në kantierin e ndërtimit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës, ekipi i arkeologëve ka nisur punën për zbulimin e plotë të sitit arkeologjik, i cili doli në dritë në muajin tetor të vitit të kaluar.  Pas një pezullimi thuajse 6 muajsh, arkeologët i janë rikthyer procesit të gërmimit, ku parashikohet të largohet një volum i madh dherash, që mbulon gjithë gjurmën e shkollës dhe palestrës, ku ishte parashikuar të ndërtohej gjimnazi.

E megjithëse janë vetëm ditët e para të gërmimeve, nëntoka e kësaj zone me potencial të madh arkeologjik nuk i ka zhgënjyer pritshmëritë e grupit të punës.

“DurrësLajm” ishte sot në kantier, ku zhvilloi një intervistë me arkeologun Luan Përzhita, i cili na zbuloi gjetjet më të rëndësishme, disa prej të cilave hasen për herë të parë.

“Për fat ne ramë në një monument që është mjaft interesant dhe zbulohet për herë të parë. Përbëhet nga disa vaska të vogla, që mendojmë paraprakisht se ka shërbyer si objekt ndihmës i vilës së madhe që ka qenë e ndërtuar në atë kohë në këtë territor.

Po ashtu jemi mjaft të befasuar nga disa gjetje të tjera, të cilat janë rifiniturat e luksit të veshjeve të brendshme të vilës. Këtu flitet për pllaka që kanë dekoracione të ndryshme, që në literaturë i gjejmë edhe në vende të ndryshme të Mesdheut, kryesisht në Pompei, dhe që datohen kryesisht nga shekulli I dhe shekulli II.”

Arkeologët konstatojnë me keqardhje se një pjesë e mirë e strukturave antike janë dëmtuar prej rrëshqitjeve të dherave nga pjesa e kodrës, që mund të ketë ndodhur në shekullin IV, kur Durrësi u godit nga një tërmet i fortë.

Një nga gjetjet më të rëndësishme të pak muajve më parë ishte mozaiku floreal që i përket fundit të shekullit të I dhe fillimit të shekullit të II dhe është pjesë e një vile luksoze që ndodhej pranë amfiteatrit të Durrësit.

Sipas arkeologut Përzhita, pjesa më e madhe e mozaikut që pritet të zbulohet ndodhet poshtë një grumbullimi të madh dheu dhe pemësh shtatlartë. Kjo e rrit në mënyrë të ndjeshme vështirësinë e procesit të punës.

“Zbulimi i plotë i mozaikut është një sfidë tjetër, që kërkon angazhimin e një grupi inxhinierik, pasi sipërfaqja e terrenit ku shtrihet mozaiku është poshtë strukturave, që nuk i janë nënshtruar punimeve të mbrojtjes nga rrëshqitjet e dheut nga pjesa e sipërme e kodrës. Çdo lëvizje e mëtejshme do të rrezikonte shkarje dheu dhe dëmtime që kanë të bëjnë me strukturat ndërtimore apo pallatet që ndodhen mbi mozaikun.

Zona ku po kryhet gërmimi arkeologjik përfshin gjurmën, ku ishte parashikuar të ndërtohej shkolla “Gjergj Kastrioti”. Gërmimet kapin kuotën 6.75 m thellësi. Sipërfaqja e gërmimit paraprakisht mendohet të arrijë në 560 m². Për këto gërmime shpëtimi, bashkia Durrës akordoi fondin rreth 13 milionë lekë të reja.

Intervistën e plotë me arkeologun Përzhita e gjeni në videon e mëposhtme.

M.B.