Valët e forta të Covid-it ia kanë lënë vendin nënvarianteve që shfaqen me problematika më të zakonshme: rrufë, kollë apo dhimbje fyti. Mjeku Ilir Alimehmeti tha sot në Tv Klan se rritja e këtyre virozave është pasojë e nënvarianteve të reja të Omicron-it.

Alimehmeti sqaron se nuk bëhet fjalë për grip pasi sëmundja e ka të pamundur të zhvillohet në temperatura kaq të larta, por s’ka vend për panik. Megjithatë, si me çdo virozë, protokolli shëndetësor nuk ndryshon. Për shenjat lehtësisht të menaxhueshme duhen ndjekur këshillat për hidratimin, përdorimin e paracetamolit në rast nevoje dhe shmangien e kontaktit me njerëzit.

Ilir Alimehmeti: Kemi disa variante të reja që po shkaktojnë këtë lloj rritjeje nga njëri krah. Po, që janë nënvariante të Omicron-it sepse ky Omicron mbetet, u bënë vite që është shumë ‘fit’ për njerëzit.

Të gjithë viruset egoiste janë dhe e tillë është jeta, por ky nuk po na shkakton diçka të re. Mbetemi tek e njëjta logjikë që nuk është se kemi shumë raste të rënda.

Ky virus mund të ngatërrohet me gjithçka, me çdo lloj viroze respiratore, një kollë, një dhimbje gryke etj, janë simptoma shumë të përgjithshme.

Si çdo virozë do të thotë mbështetje, kujdes mos ftohesh më shumë, kujdes kondicionerin se i rrimë përballë nga vapa e madhe, do të shkaktojë rënien e imunitetit se ajo ftohja nuk është fiziologjike për trupin, ftohja aq e madhe, e menjëhershme, lëngje patjetër sepse në mesin e vapës duhen gjithsesi se kemi shumë dehidrim, paracetamol dhe si gjithmonë, kujdes të tjerët. Parimi që je i sëmurë, ki kujdes të tjerët që mos të shkojmë t’i puthim e t’i përqafojmë.