Viti 2012 do të jetë viti i kremtimeve për njëqind vjetorin e pavarësisë shqiptare, pra një vit perfekt për rizgjimin e idealeve nacionaliste. Është e pamohueshme që partitë shqiptare me frymëzim nacionalist, si Vetëvendosja në Kosovë dhe Aleanca KuqeZi këtu tek ne, po fitojnë tashmë një sukses popullor të madh, duke prekur telat më delikate të sensibilitetit shqiptar. Edhe mediat luajnë rolin e tyre: mjafton të mendohet për himnin neo-nacionalist të Çobës dhe Çapalikut, “Xhamadani vija vija”, i zgjedhur nga Top Channel “për t'i uruar 2012 të gjithë shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe gjithë ata që janë emigrantë”. Personalisht, më është dukur pak e çuditshme që një televizion i majtë si Top Channel ka marrë në dorë flamurin e nacionalizmit dhe të Shqipërisë Etnike, që teorikisht janë tema të ideologjive të së djathtës. Kështu, në këtë konfuzion politik ku e djathta promovon programe të majta dhe e majta mbështet vlera të djathta, duket se nacionalizmi del gjithmonë fitues. Por a është ky fenomen i pajtueshëm me botën e globalizuar të sotme? Unë mendoj se po.
Nëse nazionalizmi ka vdekur në SHBA, a mund të mbijetojë diku tjetër?
Besoj se duhet me qenë realistë. Ashtu si të gjitha çështjet e tjera politike, ekonomike dhe diplomatike shqiptare, edhe e ardhmja e partive nacionaliste do të varet nga qëndrimi që do të mbajnë SHBA. Pra, mbijetesa politike e nacionalizmit shqiptar është e lidhur me ideologjinë që do të rezultojë mbizotëruese përtej Oqeanit: një Amerikë pro-nacionalizmave do të mbështesë Aleancën KuqeZi dhe Vetëvendosjen, ndërsa një Amerikë anti-nacionaliste do të lërë mënjanë këto lëvizje politike, ashtu siç ka neutralizuar Partinë Radikale në Serbi dhe Lega Nord në Itali. Për momentin, SHBA janë përfshirë nga një ideologji qartësisht anti-nacionaliste dhe vendosmërisht pro-globaliste, që promovon me pasion projektin e një planeti transnacional, multietnik dhe multikultural, një “kërthizë e botës” ku popuj, raca, ngjyra dhe fe bashkëjetojnë dhe përzihen në një harmoni kaotike.
Realizimi i kësaj utopie – që shumë kritikë e vulosin si “neomarksiste” – qëndron në bazën e politikave që nxisin emigracionin nga Afrika, nga Azia dhe nga Amerika latine drejt Europës, Kanadasë dhe vetë SHBA. Në 2008, Washington (ose më mirë, New York, që është selia dhe truri i ideologjisë globaliste) i ka dërguar botës një mesazh të fortë dhe të qartë, duke ngritur në fronin e Shtëpisë së Bardhë presidentin e parë me ngjyrë, Barack Obama. Amerika “WASP” (White Anglo-Saxon-Protestant) ishte zyrtarisht e kapërcyer; mjaft me mbisundimin e amerikanëve me origjinë europiane; mjaft me kapitalistët e naftës “alla Bush” dhe me klasën politike që bazonte fuqinë e saj mbi aktivitetet tradicionale të prodhimit industrial e bujqësor. SHBA të reja të botës së globalizuar duhet të udhëhiqeshin nga një figurë me vlerë shumë simbolike, dhe Barack Obama ishte një e tillë.
Për të varrosur përfundimisht tendencat raciste të amerikanëve të bardhë dhe të europianëve, ishte e nevojshme një “terapi shock” dhe prandaj një president me origjinë afrikane. Por jo një afro-amerikan si Martin Luther King apo Malcom X, të cilët vinin nga familje të çuara si skllevër në SHBA gjatë shekullit të XVIII dhe kështu ishin “amerikanë të vjetër me mentalitet skllavi”. Duhej një amerikan “i ri” dhe agresiv, bir i një imigranti afrikan dhe i një amerikane me origjinë irlandeze, për t'i shpjeguar botës se e ardhmja është në duart e atyre që lejojnë vendet e varfra për të gjetur fatin në vendet më të pasura, është në duart e atyre që shkelin zakonet dhe martohen me njerëz me raca, fe dhe kultura të ndryshme nga e vetja. Fëmijët e tyre do të jenë shpërblyer me pushtet dhe sukses.
Tani, nëse situata paraqitet si më sipër, si ka mundësi që SHBA lejojnë apo mbështesin ngritjen e partive nacionaliste në Europë, sidomos kur objektivi i tyre kryesor është konsolidimi i atij entiteti transnacional me emrin Bashkimi Europian? A ka kuptim që Washington dhe Bruxelles tolerojnë forcimin të nacionalizmave ballkanikë në këtë moment historik të brishtësisë ekonomike të thellë, kurse popujt europianë tregojnë një nervozizëm në rritje kundër institucioneve ndërkombëtare? Në fakt është e vështirë të shpjegohet se përse nga Amerika nuk vijnë dënime të qarta ndaj lëvizjeve nacionaliste shqiptare, por ndoshta ekziston ndonjë arsye bindëse.
A është nacionalizmi shqiptar ndryshe nga të tjerët?
Sot, në nivelin e politikës TEORIKE, shqiptarët kanë absolutisht të drejtë kur themelojnë parti nacionaliste dhe kur kërkojnë krijimin e Shqipërisë Etnike. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në 1999 ka qenë konsideruar nga e gjithë bota – dhe prandaj, me të drejtë, nga vetë shqiptarët – si një shfaqje e preferencës amerikane për popujt shqipfolës. Ishte bekimi i SHBA për aspiratat nacionaliste shqiptare kundër atyre të sllavëve, ishte konfirmimi zyrtar i të gjitha teorive etnike dhe historike të mbështetura nga shqiptarët, dhe kështu do të thoshte edhe miratimi i projektit për të bashkuar katër vilajetet e ndara nga Kongresi i Berlinit. Në të njëjtën mënyrë, sipas logjikës, njohja e pavarësisë së Kosovës në 2008 ka nënkuptuar mundësinë që Tirana dhe Prishtina të bashkohen në një shtet të vetëm. Malit të Zi i ka mjaftuar një referendum i thjeshtë për t'u shkëputur nga Serbia, dhe atëherë përse të mos thirret një referendum edhe për të krijuar Shqipërinë Etnike?
Amerikanët mund të kenë frymëzuar lindjen e Aleancës KuqeZi dhe Vetëvendosjes për të garantuar ruajtjen e demokracisë në dy shtetet shqiptare. Për arsye kulturore, në trevat shqiptare është e pamundur të krijohen opozita politike “klasike” të bazuara mbi “shoqërinë civile”, mbi “të drejtat e njeriut” dhe mbi lirinë sociale dhe individuale. SHBA kanë kuptuar se e vetmja lloj opozite që mund të pushtojë zemrat e shqiptarëve është një opozitë që flet një gjuhë të theksuar nacionaliste, me terma popullorë dhe retorikë në të njëjtën kohë. Vetëm një opozitë nacionaliste mund të kontrollojë qeveritë e moderuara për t'i kufizuar tendencat eventuale antidemokratike…
Fatkeqësisht, në nivelin e politikës PRAKTIKE, gjërat nuk janë saktësisht kështu. SHBA janë deklaruar hapur kundër bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe kjo temë është bërë një tabu për vetë qeveritarët e dy vendeve, të cilët preferojnë të shmangin argumentin ose mohojnë pikësynimin e realizimit të një shteti të vetëm. Nga ana tjetër, vëmendja shumë e madhe kushtuar minorancave etnike në Kosovë, regjistrimet e popullsisë mbi baza etno-fetare dhe promovimi i fortë mediatik dhe social i komunitetit rom tregojnë se Amerika ka ndaluar mbështetjen e ideve të “pastërtisë racore” që qëndrojnë në bazën e Shqipërisë Etnike. Shqipëria dhe Kosova mund dhe duhet të vazhdojnë të ekzistojnë, por vetëm si shtete të ndara dhe, sidomos, si simbole të bashkëjetesës të shumë popujve dhe shumë feve. Ideja e një kombi të vetëm shqiptar “me racë të pastër” hidhet poshtë nga SHBA dhe ka ardhur momenti që popujt shqipfolës ta kuptojnë dhe ta pranojnë vullnetin e mbrojtësit të tyre historik.
Ja përse duket e çuditshme se ndonjë krah politik dhe ideologjik shqiptar – nga dy anët e kufirit – rebelohet kundër Amerikës, pa të cilën Kosova do të kishte mbetur pjesë e Ish Jugosllavisë dhe, ndoshta, në 1997 Shqipëria do të ishte bërë një protektorat italo-grek. Çfarë i shtyn neo-nacionalistët shqiptarë të sfidojnë miqtë e huaj më të mirë të popullit të tyre? Dhe përse SHBA nuk i “tërheqin veshin” djemve të Aleancës KuqeZi dhe të Vetëvendosjes?
Paraqesim disa hipoteza:
1) Washington nuk shqetësohet për këto lëvizje sepse i gjykon të vogla, pa influencë dhe pa një të ardhme politike konkrete. Kjo hipotezë duket e demonstruar nga vizibiliteti i pakët që mediat e të majtës amerikane – e cila mban pushtetin ideologjik në nivel planetar – i japin Aleancës KuqeZi dhe Vetëvendosjes. Deri edhe websitet e galaksisë Soros kushtuar Ballkanit presin shkurt mbi këto fenomene, duke i quajtur maksimumi “romantiko-nacionaliste” dhe lënë të kuptohet se kanë një rol margjinal në jetën politike të trevave shqiptare.
2) Por ka edhe mundësi që politika e jashtme e SHBA nuk ka një pozicion të vetëm ndaj nacionalizmit shqiptar. Sigurisht, një krah i të majtës amerikane dënon rreptësisht çdo formë rivendikimi me baza etnike: ky krah mbështet Berishën dhe Thaçin, i “bind” ata të shmangin deklarimet nacionaliste dhe të veprojnë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Por ndoshta ekziston edhe një tjetër krah, që ndan nacionalizmat në “të mirë” e “të këqinj”, ku nazionalizmat “e mirë” janë ata të dobishëm për interesat gjeostrategjike të SHBA. Në këtë perspektivë, nacionalizmi shqiptar rezulton “i mirë dhe i dobishëm”, sepse i garanton Amerikës një popull mik në Ballkan, një popull me fe dhe kultura të ndryshme nga pjesa tjetër e Europës, për t'u përdorur si “kërcënim” i përhershëm kundër çdo vendi europian që mund t'i kundërvihet multikulturalizmit global. Lufta midis këtyre dy krahëve të politikës së jashtme amerikane do të justifikonte situatën aktuale, ku SHBA mbështesin qeveritarët e moderuar por tolerojnë edhe opozitat nacionaliste, duke i lejuar Shqipërisë sjellje që, diku tjetër, do të ishin të dënueshme.
3) Ja përse nuk është për t'u përjashtuar fakti se partitë nacionaliste kanë qenë krijuar nga vetë SHBA për “të kënaqur” të gjithë shqiptarët, duke i dhënë atyre një zgjedhje politike “full optional” për të gjitha shijet dhe egzigjencat, nga më të moderuarit tek më ekstremistët. Amerikanët e njohin mirë Shqipërinë dhe e dinë sesa i thellë është sensibiliteti nacionalist në nivel popullor. E dinë se, pa nacionalizëm dhe pa mite të krijuara nga ai, shqiptarët nuk do të ishin më shqiptarët. Nuk do të ishin më populli që, për të mbrojtur identitetin e vet etnik kundër fqinjëve ballkanikë, i është dashur gjithmonë të kërkojë ndihmën amerikane. Pa nacionalizëm, thjesht, shqiptarët nuk do të kishin më nevojë për SHBA. Prandaj, për Washington është jetësore që ndjenja nacionaliste të mos shuhet kurrë, as në Shqipëri as në Kosovë.
4) Amerikanët mund të kenë frymëzuar lindjen e Aleancës KuqeZi dhe Vetëvendosjes edhe për një qëllim tjetër, domethënë për të garantuar ruajtjen e demokracisë në dy shtetet shqiptare. Duhej të rithemeloheshin partitë e opozitës, për të shmangur që liderët në qeverisje të mos merrnin sjellje tepër “autoritare”. Por, për arsye kulturore, në trevat shqiptare është praktikisht e pamundur të krijohen opozita politike “klasike” të bazuara mbi “shoqërinë civile”, mbi “të drejtat e njeriut” dhe mbi lirinë sociale dhe individuale – siç tregon falimentimi i Partisë Socialiste të Edi Ramës, i lëvizjes Mjaft dhe i partiçkës G99. Në këtë pikë, SHBA kanë kuptuar se e vetmja lloj opozite që mund të pushtojë zemrat e shqiptarëve është një opozitë që, të paktën në dukje, flet një gjuhë të theksuar nacionaliste, me terma të thjeshtë dhe epikë, popullorë dhe retorikë në të njëjtën kohë. Vetëm një opozitë nacionaliste mund të kontrollojë qeveritë e moderuara – të vendosura nga vetë SHBA – për t'i kufizuar tendencat eventuale antidemokratike. Çështje të politikës së brendshme pra, dhe jo të politikës së jashtme…
Konkluzion: kushdo është i lirë të mendojë atë që do dhe, natyrisht, të ndjekë zemrën e tij dhe idealet e tij. Por në çdo rast duhet të merret parasysh çfarë është shkruar më sipër, sepse ndjenjat duhen balancuar gjithmonë me një dozë të mirë racionaliteti.