Nga Pandeli BARDHI
Fundi i rrugës “Muze” apo rrugës së “harruar” që fillon nga ish-Kombinati i tekstileve në kryeqytet, e ka fundin te Përroi i Agait, në afërsi të Plepave! Rruga “Muze” dhe përroi i “Agait”, janë pranë e pranë. Të dy, të “dashuruar” fort me njëri-tjetrin, i qëndrojnë “besnikë” traditës së vjetër për të mos u reformuar! Ashtu si kanë qenë në fillimet e shekullit të kaluar, ashtu janë edhe sot, e duket sikur duan t’i japin tonin gjithë zonës, për të kaluar në drejtim të kryeqytetit dhe në drejtim të qytetit më të madh bregdetar. Fundi i njërës, është fillimi i tjetrit. Nuk është kjo një “kokëfortësi” e tyre se sa një “zemërgjerësi” e politikanëve, për t’u treguar brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë se si e kanë lënë ata Shqipërinë! Kushdo që vjen për pushime verore nga kryeqyteti për në shtëpinë e pushimit të ushtarakëve Durrës, duhet medoemos të kalojë në rrugën “Muze” dhe të përqendrohet në afërsi të “Përroit të Agait”!
E morëm me qejf bashkë me dy shokë të tjerë, për të kaluar disa ditë pushime në këtë shtëpi pushimi. Furgoni u mbush shpejt, mbasi në këto ditë vere ka lëvizje të shumta dhe drejtuesit e automjeteve nuk kanë kohë të marrin frymë. Ende pa u nisur akoma, drejtuesi thërret: “Hajde kush është për Durrës, plepa, se u nisëm”! “Po ky përse thërret akoma, kur të gjitha vendet janë të zëna”, pyet shoku im që kisha në krah. “Meqenëse i është bërë shprehi, i them, vazhdon të bërtasi për inerci… Nuk ecëm më shumë se dy apo tre km dhe dalin përpara tri gra. “Hajde, futuni, jep komandën zëdhënësi i shoferit që qëndron me derën hapur të makinës. Ato u ngjeshën me disa vajza të vogla që nuk zinin vend shumë! Nga pesëmbëdhjetë vende që kish makina, tani u bëmë tetëmbëdhjetë. Makina ecën me shpejtësi si për të fituar kohën e humbur dhe nuk do t’ia dijë as për gropat e as për ferrat që kërkojnë t’i ndalin vrapin! Kujtoj kohën e dikurshme, kur në pushtet ishte Jozefina. “Kalon nëpër rrugat tona dhe të duket vedi si me shku nëpër rrugët e Xhermanisë apo ndokund tjetër, në Norvexhi apo anena, ka Belxhika”! Në afërsi të fshatit Ndroq, dalin edhe pesë pasagjerë të tjerë. “A keni vene”?, pyesin ata. “Kena, kena, futuni mrena, por me i kusht ama që do rrini n’komë”! “S’ka gajle. Do bojm si do bojm”! Kalojmë edhe disa km të tjera dhe përsëri edhe gjashtë të tjerë. “Hajdeni, futuni mrena”. Pasagjerët tashmë shndërrohen në “kunguj” njëri mbi tjetrin! Udhëtojmë në drejtim të Rumanatit? Më kujtohet shprehja e vjetër, “Hajde bab, për Rumanat”! Fryma po na merret dhe një vajze të vogël i bie të fikët! Ende pa mbërritur akoma në afërsi të Rumanatit, na dalin katër thasë me misra bashkë me të zotin! “Futi mrena, por do të pagush biletën dyfish ama”, bën sqarimin ‘zëdhënësi’! Edhe thesi me misra do të paguajë biletën dyfish! Gropat tashmë nuk ndihen shumë nga pesha e madhe e makinës. Askush nuk pipëtin nga pasagjerët. Ndoshta nga gëzimi që do të shkojnë në plazh, ndoshta… “Shumë trim ky shoferi, mendoja me vete, i cili nuk ka frikë nga ndonjë polic, që i fluturon menjëherë lejen e drejtimit që transporton dyfishin e kapacitetit me pasagjerë, njësoj sikur të ishin edhe ata thasë me misra”! Në këto mendime, si me porosi dalin dy policë përpara. Njëri prej tyre, tërë shije hante një misër të pjekur! Bobo, thashë tani do ta pësojë shoferi! Njëri nga policët u afrua te xhami nga ana e shoferit, i hodhi një sy “ngarkesës” brenda në makinë dhe pyeti: “A ka ndoi gjo anej”? “Jo, përgjigjet shoferi, çdo gjo, osht m’regll!” Ec, i bën ai me dorë! Shpëtuam! Kur shteti e trajton qytetarin, që e ka të ‘parin’, thjesht si qënie vetëm për të votuar, kur mjeku e trajton atë si ‘mall’ për të bërë biznes, pse shoferi të mos e trajtojë thjesht si ‘kallup’ misri? Kush zbaton ligjin për të ndëshkuar fajtorët qysh nga maja e Piramidës e deri te shoferi?
Makina ndalon në afërsi të mbikalimit te Plepat, aty ku mbaron rruga “muze”! Aty, rruga ja dorëzon “komandën” Përroit të Agait. “Huqet” e tij, ai ja ka imponuar gjithë zonës përreth! Era e rëndë që kundërmon kudo, duket sikur paralajmëron pushuesit e shumtë: “Mirë se vini për pushime pranë detit, por këtu, zot jam unë”! Dhe kështu është me të vërtetë. “Përroi i Agait”, nuk i dihet se kur është krijuar si i tillë, por nga vetë emri, të lë të kuptosh që zanafilla e tij, duhet t’i ketë rrënjët qysh nga pushtimi i parë nga osmanllinjve! E vërtetë është vetëm një gjë, që ky përrua ka sfiduar sa e sa rregjime e qeverira që kanë kaluar. Janë betuar e stërbetuar me dhjetra herë se këtë përrua do ta vënë në “udut” por përsëri, ai qëndron “krenar”, këtu në afërsi të pallateve të larta dhjetëkatëshe e lart. Ai i bën “komandë” edhe detit të madh, që e ka të pamundur të “pushtojë” këtë “currilë” që qëndron në “istikamin” e tij. Ai nuk dallon shumë nga rrugicat midis pallateve moderne, të mbushura me hedhurina, sikur të ishin në garë me koshat e plehrave e hedhurinat anës rrugës kryesore. Edhe pusetat janë mbushur me plehra që kanë dalë mbi sipërfaqen e tokës. Të paktën, ato nuk përbëjnë rrezik për këmbësorët, sa për makinat, ç‘fat të kenë!
Mbas një udhëtimi të mundimshëm, më në fund arrijmë në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve. Mes vapës së padurueshme qëndrojmë në radhë për të paguar ushqimin dhe dhomën e fjetjes. Nuk gjejnë dot drejtuesit ndonjë mënyrë tjetër për të mos mërzitur pushuesit! Presim me padurim të shkojmë në dhomë dhe të çlodhemi e të freskohemi pak nga ky udhëtim i “këndshëm”! Tefta, një punonjëse e vjetër, na pret me fjalë të ëmbla, na sjell çarçafët dhe na uron pushime të mbara. Hyjmë në të ashtuquajturën vilë. Dhoma është e bollshme. Frymën e mbajmë tek çezma për t’u freskuar pak. Çezma, mbasi shfryu për disa çaste, ra në qetësi. Uji nuk dukej të vinte. Hyjmë në kuzhinë, me shpresë për të gjetur frigorifer, por as ai nuk ndodhej aty. Komshiu im i hypi makinës dhe frymën e mbajti në shtëpi për të marrë frigoriferin. Era e rëndë që vinte nga kuzhina, më dukej sikur isha futur në Përroin e Agait! Edhe këtu, nuk na u nda Përroi i Agait, edhe këtu brenda, ai është “zot”! Kësaj i thonë që jo vetëm të blesh “belanë”, por edhe ta blesh shtrenjtë, sepse këtyre i thonë “Vila”! “Hajde të shkojmë të kridhemi njëherë në det, më thotë, pa më pas shohim e bëjmë”! Ashtu bëmë. Menduam të sigurojmë ndonjë çadër dhe shezllon, për të futur kokën nga piku i diellit të mesditës. Shohim të gjithë që ishin vënë në kërkim të ndonjë shezlloni apo çadre të rregullt, por ishte e pamundur. U futëm edhe ne në këtë garë, por më kot. Të gjitha çadrat të shqyera dhe shezllonet e shkatërruara, qysh nga koha e “Pelikanit”! Me shumë vështirësi, mundëm të gjejmë nga një shezllon me dy e tre këmbë. Për këmbën e tretë e të katërt, na erdhi në ndihmë Përroi i Agait, me disa copa betoni që mundëm të gjejmë anëve të tij. Improvizuam kështu nga një çadër dhe filluam të çmalleshim me detin.
U kthyem tërë qejf, në “vilën” tonë, por edhe në këtë orë të mbasdites, uji nuk duket të vijë. Disa na thanë që ka ardhur e ka ikur! Mirë ka bërë, ai nuk është i detyruar të na presi ne… Nuk kemi ç’të bëjmë tjetër, akoma duhet të vazhdojmë të kalitemi me vështirësitë. Duronim atëherë, kur “hidhnim valle në gojën e Ujkut”, të vetëm, do të durojmë edhe tani, që jemi në NATO! Atëherë, njërin sy e mbanim nga armiqtë e jashtëm, tjetrin për të rregulluar gjendjen e brendshme. Por nuk qenka e thënë. Edhe sot, që nga jashtë kemi NATO-n, përsëri nuk jemi në gjendje t’u krijojmë ushtarakëve aktivë apo atyre në rezervë, kushtet më minimale për të pushuar qoftë edhe disa ditë.
E mora me qejf një pjatë kos në darkë, por u zhgënjeva. Ajo ishte pjatë me supë. Nuk e ka fajin mosha, por mungesa e dritave. Akoma si qëmoti, plazhet tona turistike vuajnë mungesën e ujit e të dritave! Vetë punonjësit thonë që kjo Shtëpi Pushimi lulëzoi vetëm vitin e kaluar, kur Komandant ishte Eltoni. Largimi i Eltonit, bëri që edhe Shtëpia e Pushimit, të vajtojë! Elton Prisoi është një ushtarak, me gradën nënkolonel, i cili vitin e kaluar ka qenë Komandant në këtë garnizon ku pushojnë kuadrot e ushtrisë. Nuk e njohim, por të gjithë flasin me respekt. Ishte shembull në kërkesën e llogarisë dhe punës i qëndronte në kokë. Në kuadrin e reformave, edhe Eltonin e larguan nga kjo detyrë, për t’ja lënë vendin të paaftëve. Duket që koha sot, nuk i duron të aftët! Shtëpinë e Ushtarakëve në Kryeqytet, ja “grabiti” Saliu, që të “kakarisi” Basha. Edhe tjetrën ja “grabiti” Rilindja, për t’ia dhënë Ministrisë së Turizmit. Edhe këtë shtëpi pushimi që kishte mbetur, tashmë e ka “grabitur” Përroi i Agait. Godina qendrore është për t’i qarë hallin me gjendjen ku është katandisur. Dikur, ajo ishte model. Kemi tri ditë që jemi shkëputur nga bota, e duket sikur jetojmë në Planetin “Kepler”! E vërtetojnë këtë ngjyra e ujit kur erdhi në darkë, që dallonte nga ai i Planetit Tokë. As mjetet e informacionit nuk kanë depërtuar në këtë “planet”! As radio, as televizion, as internet. U nisëm me mendimin që qeveria ka siguruar ujë njëzet e katër orë në plazhet tona dhe internet falas në gjithë bregdetin për pushuesit e huaj e ata vendas, por… Mos vallë, kjo vërteton atë që thonë shkencëtarët, që do të vijë një ditë që planeti Tokë do të shkatërrohet, për të filluar jeta në ndonjë planet tjetër, siç është ai më i riu, “Kepler”? Ne po i përjetojmë shkatërrimet, por të mos kenë këtë fat, brezat që do të vijnë!…
Marrë nga gazeta “Sot”, 7 gusht 2015