TIRANE,26 shtator 2013- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka bërë thirrje sot kryeministrit Edi Rama të mos prishë konsensusin e arritur për ligjin mbi nëpunësin civil. Deklarata u bë gjatë mbledhjes së grupit Parlamentar të PD-së, pak momente para nisjes se seancës plenare në Kuvend.

Sipas Bashës, e djathta ia la gati marrjen e statusit në Bruksel së majtës dhe kjo e fundit duhet respektojë konsensusin që dha për 3 ligjet para shtatorit. 
“Ligji për shërbimin civil ishte një ndër 3 ligjet e famshme me të cilat e majta privoi Shqipërinë nga marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Por, tani po nëpërkëmbet ligji për nëpunësin civil. Këto 3 ligje i bllokoi Edi Rama. Më pas PS dhe LSI iu kthyen kërkesës sonë që 3 ligjet të miratohen, por me një kusht, të hyjnë në fuqi më 1 shtator. Rama tani në pushtet mendon ta hedhë në erë”. 
Në këtë pikë, Basha i drejtoi 2 apele Ramës. 
“Në emër të PD, të aleatëve tanë, dua ti them 2 gjëra të thjeshta, e para hiqe nga mendja mos e tento. Konsensusi është një vlerë e vecantë të cilën duhet ta ruajmë fort si nyje për ecjen përpara të vendit. Vendi do të ketë nevojë për konsensusin ndërpartiak po aq sa për debatin, nëse shkelmohet ky konsensus përgjegjësia dhe pasojat do të bien mbi Ramën dhe qeverinë e tij. Ky akt do cojë në shkallmimin e Shërbimit Civil. Së dyti, nëse shkelmohet konsensusi për ligjin për nëpunësin civil, pasoja do bien mbi Ramën qeverinë e tij. Nëse shkelmohet pasojat do bien mbi nëpunësin civil, ndaj përpjekjeve të qindra ekspertëve për hartimin e tij, shkelmohen përpjekjet e viteve të tëra në ngritjen e nëpunësit civil. Shtyrja e hyrjes në fuqi të këtij ligji rrezikon statusin”. 

Kryetari i PD-së theksoi se qeveria e re e ka gati marrjen e statusin në sajë të përpjekjeve që ka bërë qeveria paraardhëse. “Shkatërrimi dredharak me justifikime të paqëna është një kundër-investim lidhur me aspiratat e Shqipërisë në frontin evropian. Qytetarët europianë duhet ta dinë se pasi bllokuan statusin për 3 vjet tani nuk kanë punë tjetër vetë të shkojnë në Bruksel dhe ta marrë atë. Ua kemi lënë ne, të gjitha gati, ndaj ti thërrasë mendjes”.
Basha theksoi se sindroma e vitit zero po shkel shtetin ligjor, korpusin e ligjeve të krijuara gjatë këtyre viteve, rregullat dhe funksionim e qeverisë dhe të Kuvendit. 
“Në këtë start të mbrapshtë Rama po kërkon t’u diktojë shqiptarëve një mesazh; ligji jam unë. Duke dëshmuar një mentalitet të vjetër për vlerën e shenjtë të ligjit të demokracisë, si kushti numër një i progresit shoqëror. Paralajmërimet tona të vazhdueshme për t’iu përmbajtur betimit që kanë bërë dhe për të zbatuar ligjin, nuk po zgjohen, fryma revanshiste po ngjit shkallë të reja, po shënjestron arritje të tjera të shtetit ligjor. Paralajmërohet shtyrja e ligjit të nëpunësit civil, nëse ndërmerret ky do të ekzekutonte konsensusin ndërpartiak.”- tha Basha. 


KUVEND-BERISHA: RAMA PO KËRKON SHTYRJEN E STATUSIT

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi të enjten në Kuvend Kryeministrin Edi Rama se po tenton të bllokojë marrjen e statusit në muajin dhjetor, duke rrëzuar konsensusin për ligjin e 'statusit të nëpunësit civil'. 

"Dua të shfrytëzoj këto dy minuta për një alarm të madh që bie për bashkëkryeministrin për të shtyrë me çdo kusht statusin nga muaji dhjetor që ai të mos i atribuohet Partisë Demokratike dhe qeverisë së saj", deklaroi Berisha në fillim të seancës së sotme. 

"Informohem se është përgatitur akti normativ për të rrëzuar konsensusin, mosdhënia e të cilit mbajti peng statusin. Gabim fatal nëse marrim veprime për ta shtyrë atë. Ministri i Jashtëm, bashkë me kryeministrin, kanë mashtruar në Bruksel për akte që nuk janë ashtu, por kam besim se kjo zgjidhet nga kryesia e parlamentit shqiptar, që vendi të mos humbasë statusin në dhjetor. Humbja e tij është një dënim i madh për shkak të zgjedhjeve europiane që ndodhin në mesin e vitit të ardhshëm", tha Berisha.

http://www.balkanweb.com/politike/2775/nepunesi-civil-basha-rames-e-beme-gati-statusin-ndaj-thirri-mendjes-mos-shty-ligjin–150713.html