3 tetor 2013- Partia Demokratike depozitoi paradite në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për shpalljen si antikushtetues, të Aktit Normative të Kryeministrit Rama për shtyrjen e ligjit “Për nëpunësin civil”.
Kallëzimin e depozitoi ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili, pasi doli nga gjykata deklaroi:
"Depozituam në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Grupit Parlamentar të Partisë për Drejtësi, Unitet dhe Integrim, kërkesën për shpalljen si antikushtetues të Aktit Normativ të Kryeministrit, i cili bëri zero brenda pak minutave një ligj me shumicë të cilësuar, të votuar me vota unanime të Parlamentit.
Kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese,"shpalljen si antikushtetues të këtij akti të kryer në mënyrë flagrante në kundërshtim me Kushtetutën dhe pezullimin e efekteve të tij në mënyrë të menjëhershme, pasi Kushtetuta dhe ligji, janë dy elemente që përbëjnë shtetin e së drejtës.
Kushtetuta duhet të respektohet nga cilido. Parlamenti duhet të respektohet, ndryshe ç‘kuptim ka nëse Parlamenti merr vendime dhe miraton ligje dhe ato zhbëhen për pak minuta nga kryeministri i vendit.”- përfundoi Halimi.
Pas Gjykatës Kushtetuese, të djathtët përshkallëzuan në sallën e Kuvendit planin për të mos lejuar votimin e aktit normativ të qeverisë Rama. Opozita ka dalë menjëherë nga salla e Kuvendit pas deklaratës së kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, se "konsensusi për ligjin "Për nëpunësin civil" u hodh në erë dhe ne nuk do të bëhemi pjesë e këtij procesi".
Sot, konsensusi është hedhur në erë. Për hir të pazareve të pista të Ramës me Koçon, që po ndajnë sinoret, po kërkohet të ndyhet edhe ky Kuvend. Ju keni vendosur që “jashtëqitjen” e Ramës në Qeveri ta kaloni për ta “përmjerë” këtu në Kuvend, pa i dhënë shans as Gjykatës Kushtetuese.Konsensusi nuk bëhet me kile deputetësh dhe ne do t’ju lëmë ta shijoni, pa u bërë pjesë e këtij procesi. Rama e ka nisur punën në përplasje me opozitën dhe shumë shpejt do ta çdo çojë në përplasje me gjithë shqiptarët,"- deklaroi Paloka.
Më pas, të gjithë deputetët e djathtë lanë sallën. Kuvendi shty votimin e aktit normativ dhe miratoi vetëm me votat e mazhorancës shkarkimin e tre anëtarëve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve konkretisht Denar Biba, Albana Shtylles dhe Jani Janit.





