Tiranë, 13 mars 2014 – Miratohen disa prej akteve nënligjore që e bëjnë të zbatueshëm ligjin e nëpunësit civil, i cili pritet të hyjë në fuqi pas 1 prillit të këtij viti.
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e 12 marsit 2014 ka bërë të qarta proceduarat për rekrutimin e personave që dëshirojnë të punësohen në administratën shtetërore, rritjes së tyre në detyrë apo shkollimin që duhet të zotërojnë.
Ata që duan të aplikojnë për një vend pune në administratën shtetërore do t’i nënshtrohen konkurseve që do të zhvillohen në dy faza dhe duhet të grumbullojnë një total prej 100 pikësh.
Për t’u futur në fazën e fundit të testimit, që është intervista me gojë, kandidati duhet të marrë së paku 40 pikë nga intervista me shkrim.
KONKURIMI
15 pikë CV-ja që janë arsimimi; eksperienca e kualifikimet
70 pikë vlerësimi me shkrim
15 pikë intervista e strukturuar me gojë
100 pikë është totali i vlerësimit
Aktet nënligjore të miratuara parashikojnë rregulla të reja edhe sa i përket periudhës së provës, e cila sipas ndryshimeve të fundit zgjat nga 6 muaj deri në një vit. Vetëm nëse kalon disa kritere të veçanta gjatë kësaj periudhe, kandidati mund të marrë edhe emërimin. Të gjithë ata që e kanë tashmë statusin e nëpunësit civil nuk i nënshtrohet periudhës së provës.
KRITERET PËR TË KALUAR PERIUDHËN E PROVËS
-Rezultatin e testimit në përfundim të të trajnimit në ASPA
-Vlerësimin e rezultateve individuale në punë
-Konfirmimin e nëpunësit civil, nëse ka përfunduar me sukses trajnimin e detyrueshëm në ASPA dhe është vlerësuar të paktën “kënaqshëm”;
Po ashtu në mbledhjen e qeverisë janë përcaktuar edhe kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për t’u ngritur në detyrë. Nëse vendi i lirë nuk plotësohet nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë, një procedurë tjetër e lëvizjes paralele apo ngritjes në detyrë mund të organizohet brenda një afati 3-mujor.
NGRITJA NË DETYRË, KRITERET
a) Të jetë nëpunës civil i konfirmuar;
b) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
c) Të ketë të paktën një vlerësim pozitiv;
ç) Të plotësojë kushtet e tjera të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për klasifikimin e pozicioneve në shërbimin civil;
d) Të përmbushë kriteret e veçanta të përcaktuara në shpalljen për
konkurrim.
Po ashtu Këshilli i Ministrave miratoi edhe rregullat e organizmit dhe fuknksionimit të shkollës shqiptare të Administratës publike e cila do të bëjë trajnimin e nëpunësve civilë, i cili është i detyruar të ndiqet. Programi i formimit të thelluar zgjat 280 orë trajnimi dhe zhvillohet 2 ditë në javë, një process i cili përmbyllet brenda 6 muajve.
Për të gjithë ata që duan të punësohen në administratën shtetërore, çdo procedurë do të jetë e publikuar në portalin e shërbimit Kombëtar të Punësimit” dhe faqen zyrtare të Departamentit te Administriates Publike.
PRANIMI NË SHËRBIMIN CIVIL
1.Procedura e pranimit në shërbimin civil organizohet vetëm për kategorinë ekzekutive. Kjo procedurë organizohet në mënyrë të ndarë për grupin e pozicioneve të administrimit të përgjithshëm dhe për çdo grup të pozicioneve të administrimit të posaçëm.
2. DAP-i organizon procedurën e pranimit për të gjitha pozicionet e kategorisë ekzekutive për administratën shtetërore, ndërsa njësitë përgjegjëse në institucionet e pavarura/njësitë e qeverisjes vendore organizojnë procedurën për institucionet respektive.
3. Bazuar në planin vjetor të pranimit, njësia përgjegjëse njofton procedurën e pranimit për çdo grup, duke bërë të njohur edhe planin e zhvillimit të procedurës për secilin grup, jo më vonë se një muaj pas miratimit të këtij plani nga organet përgjegjëse, ose gjatë vitit kur shfaqet e nevojshme si rezultat i krijimit të vendeve vakante në mënyrë të paparashikuar.
4. Për institucionet e administratës shtetërore, shpallja e procedurës së pranimit për secilin grup publikohet në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe faqen zyrtare të DAP-it dhe qëndron e publikuar deri në përfundimin e procedurës së pranimit.
5. Institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore bëjnë shpalljen e procedurës së pranimit për secilin grup në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në stendat e informimit të publikut.
6. Institucionet, përveç mënyrave detyruese të shpalljeve të përcaktuara në pikat 4 dhe 5, të këtij vendimi, mund të përdorin si mënyra alternative të shpalljes së konkurrimit faqen e internetit të institucionit, si dhe çdo mjet tjetër të konsideruar të përshtatshëm për shpalljen, të njohur nga legjislacioni në fuqi.
7. Shpallja e procedurës së pranimit botohet të paktën 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike para datës së parashikuar për zhvillimin e konkurrimit.
8. Shpallja në portal dhe në faqen zyrtare të DAP-it përmban këto të dhëna:
a) Fushën kryesore mbi të cilën do të bazohet konkurrimi, si dhe aftësitë dhe cilësitë që do të vlerësohen në konkurrim;
b) Fazat në të cilën do të kalojë konkurrimi, me shkrim dhe me gojë;
c) Numrin e vendeve të planifikuara për të cilat do të bëhet pranimi;
ç) Kërkesat e përgjithshme, në përputhje me nenin 21, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”;
d) Përshkrimin e përgjithshëm të punës së grupit/grupeve të administrimit të përgjithshëm/të posaçëm, për të cilin do të zhvillohet konkurrimi;
dh) Kërkesat e veçanta të grupit të administrimit të përgjithshëm/të
posaçëm;
e) Dokumentet që duhet të dorëzohen dhe mënyrën e dorëzimit të tyre;
ë) Afatin e dorëzimit të përcaktuar me datë të saktë kalendarike;
f) Datën e daljes së rezultateve për fazën e vlerësimit paraprak të kandidatëve;
g) Datën, vendin dhe orën ku do të zhvillohet konkurrimi;
gj) Mënyrën e vlerësimit të kandidatëve në fazën e verifikimit paraprak, si dhe në fazën e vlerësimit të kandidatëve;
h) Datën e daljes së rezultateve të konkurrimit;
i) Mënyrën e njoftimit dhe komunikimit me kandidatët.
9. Dokumentacioni duhet të dorëzohet jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”.
10. Lista e dokumenteve që duhet të plotësojë kandidati është sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
KOMUNITETI I PËRHERSHËM I PRANIMIT
1. DAP-i, për institucionet e administratës shtetërore, krijon Komitetin e Përhershëm të Pranimit (në vijim KPP), për pranimin për çdo grup të administrimit të përgjithshëm/të posaçëm.
2. Pranë institucioneve të pavarura dhe njësive të qeverisjes vendore krijohet një Komitet i Përhershëm i Pranimit për secilin institucion.
3. Në përbërje të Komitetit të Përhershëm të Pranimit janë pesë anëtarë, si më poshtë vijon:
a) 1 (një) anëtar nga njësia përgjegjëse, i cili kryeson KPP-në;
b) Për institucionet e administratës shtetërore 2 (dy) anëtarë nga burimet njerëzore të Kryeministrisë/ministrive, pjesë e kategorisë së mesme drejtuese, i përcaktuar me short çdo dy vjet, i organizuar nga DAP-i. Për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, 2 (dy) anëtarë të zgjedhur nga titullari midis nëpunësve të institucionit, nëse është e mundur të nivelit të mesëm drejtues;
c) 2 (dy) ekspertë të fushës përkatëse, në varësi të fushës së vlerësimit për grupet përkatëse.
4. Ekspertët zgjidhen nga njësia përgjegjëse, për secilën KPP, duke pasur në konsideratë karakteristikat e secilit grup nëpunësish, për të cilët do të zhvillohet procedura e konkurrimit.
5. Ekspertët zgjidhen nga pedagogët e universiteteve apo institucioneve të tjera të arsimit të lartë, ekspertët e licencuar të fushave të ndryshme apo ekspertët që vijnë nga profesionet e rregulluara dhe që kanë të paktën 5 (pesë) vjet eksperiencë në atë pozicion pune/profesion.
6. Të dhënat për ekspertët e përmendur në pikën 3, të kreut III, të këtij vendimi, vendosen në një listë për secilën fushë të vlerësimit. Listat përditësohen nga DAP-i çdo dy vjet dhe në të përfshihen të gjithë ekspertët sipas fushës. Ekspertët nuk kanë të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme. Listat mund të përdoren edhe nga institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.
7. Për secilën KPP, njësia përgjegjëse zgjedh dy ekspertë efektivë dhe dy zëvendësues. Eksperti zëvendësues thirret nga njësia përgjegjëse në rast se ndonjëri prej ekspertëve efektivë ndodhet në pamundësi ligjore për të marrë pjesë në KPP.
8. Në rast mospranimi apo largimi të parakohshëm të një eksperti, ai zëvendësohet nga njësia përgjegjëse me një ekspert tjetër të së njëjtës fushë, për pjesën e mbetur të mandatit. Në këtë rast eksperti nuk përzgjidhet menjëherë pas përfundimit të këtij mandati.
9. Në rast se anëtarët e përcaktuar në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 3, të kreut III, janë në kushtet e pamundësisë ligjore për të qenë anëtarë të KPP-së, ata zëvendësohen me nëpunës të tjerë të të njëjtit institucion, nga organet e emërtesës.
10. Njësia përgjegjëse, 7 (shtatë) ditë para fazës së vlerësimit të kandidatëve, njofton Komitetin e Përhershëm të Pranimit për datën e zhvillimit të kësaj faze dhe për listën e kandidatëve.
11. Komiteti merr vendime në praninë e të gjithë anëtarëve të tij.
12. Për çështje procedure vendimet merren me votim nominal.
13. Për vlerësimin e rezultateve të konkurrimit për secilin kandidat, secili prej anëtarëve jep pikët e tij. Në përfundim pikët mblidhen dhe më pas nxirret mesatarja e përgjithshme, e cila përbën edhe vlerësimin përfundimtar të kandidatit.
14. KPP-ja përzgjedh një apo më shumë anëtarë të tij për të kryer sekretimin e testeve të kandidatëve pjesëmarrës.
15. Nëse është e nevojshme, njësia përgjegjëse mund të caktojë pranë KPP-ve, një ose më shumë nëpunës të organikës së tij, për të kryer veprimtarinë e mbështetjes teknike dhe të sekretariatit.
16. Ekspertët pjesëmarrës në KPP shpërblehen me shumën prej 10 000 (dhjetë mijë) lekë për çdo procedurë konkurrimi. Të gjitha shpenzimet përballohen nga buxheti i njësisë përgjegjëse.
17. Njësia përgjegjëse, për shpenzimet e të gjithë procesit të rekrutimit, ka një zë të veçantë në buxhetin e saj.
KONKURRIMI
1. Konkurrimi zhvillohet në dy faza:
a) Verifikimi paraprak, i cili ka për qëllim të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe ato të veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim;
b) Vlerësimi i kandidatëve.
2. Njësia përgjegjëse, në bazë të dokumentacionit të paraqitur, jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune nga data e mbylljes së pranimit të tyre, bën verifikimin paraprak të kandidatëve, që përmbushin kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim.
3. Në përfundim të verifikimit sipas pikës 2, të kreut IV, të këtij vendimi, kandidatët, të cilët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta të pozicionit të punës, renditen në një listë sipas rendit alfabetik.
4. Lista e përmendur në pikën 3 më sipër administrohet nga njësia përgjegjëse dhe shpallet:
a) në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në faqen zyrtare të DAP-it, për administratën shtetërore;
b) në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen zyrtare të internetit dhe në ambientet e brendshme, për institucionet e pavaruara dhe njësitë e qeverisjes vendore.
5. Kandidatët, që nuk plotësojnë kërkesat e përcaktuara në shpalljen për konkurrim, renditen në një listë të veçantë, në të cilën tregohen edhe arsyet e mosplotësimit të këtyre kërkesave. Lista administrohet nga njësia përgjegjëse dhe nuk bëhet publike. Kandidatët që nuk janë kualifikuar njoftohen nga njësia përgjegjëse.
6. Brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga data e shpalljes së listës në përputhje me pikën 4, të kreut IV, të këtij vendimi, kandidati ka të drejtë të paraqesë ankesë pranë njësisë përgjegjëse. Ankuesi merr përgjigje brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga data e depozitimit të saj.
7. Në vlerësimin e kandidatëve përfshihen:
a) vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve, që konsiston në vlerësimin e arsimimit, të eksperiencës e të trajnimeve, të lidhura me fushën, si dhe vlerësimet e arritjeve vjetore;
b) vlerësimi me shkrim;
c) intervista e strukturuar me gojë.
8. Totali i pikëve të vlerësimit të kandidatëve është 100, të cilat ndahen përkatësisht:
a) Për vlerësimin e jetëshkrimit (cv) të kandidatëve, që konsiston në vlerësimin e arsimimit, të eksperiencës e të trajnimeve, të lidhura me fushën, si dhe vlerësimet e arritjeve vjetore, 15 pikë;
b) Për intervistën e strukturuar me gojë, 15 pikë;
c) Për vlerësimin me shkrim, 70 pikë.
9. KPP-ja, 24 (njëzet e katër) orë përpara zhvillimit të fazës së vlerësimit të kandidatëve, përgatit një grup pyetjesh për testimin e fushës së njohurive, të aftësive e të cilësive të shpallura sipas pikës 8, të kreut II, të këtij vendimi.
10. KPP-ja, ditën e testimit, përgatit një grup të njëjtë pyetjesh për të gjithë kandidatët për intervistën e strukturuar me gojë. Intervista e strukturuar me gojë ka për qëllim vlerësimin e jetëshkrimit, të njohurive dhe të aftësive të kandidatëve.
11. Nëse kandidati grumbullon të paktën 40 pikë nga vlerësimi me shkrim, ai i nënshtrohet intervistës së strukturuar me gojë.
12. KPP-ja, në përfundim të fazës së vlerësimit të kandidatëve, liston kandidatët fitues me mbi 70 pikë (mbi 70 % të pikëve), duke filluar nga kandidati me rezultatin më të lartë.
13. Kandidatët me pikë të barabarta renditen sipas këtyre kritereve:
a) Në rast se njëri prej kandidatëve përfshihet në kategorinë e personave me aftësi të kufizuar, atëherë ai përzgjidhet i pari në raport me kandidatin tjetër;
b) Në rast se kandidatët janë të gjinive të ndryshme, atëherë renditja bëhet duke u renditur i pari kandidati që i përket gjinisë më pak të përfaqësuar në grupin për të cilin konkurrohet. Gjinia më pak e përfaqësuar përcaktohet nga njësia përgjegjëse;
c) Në rast se nuk mund të aplikohet asnjëra nga alternativat e mësipërme, atëherë renditja e kandidatëve me pikë të barabarta bëhet nëpërmjet shortit.
14. Nëse asnjë nga kandidatët nuk merr 70 pikë (70 % të pikëve), atëherë komiteti vendos përfundimin e fazës së vlerësimit të kandidatëve pa asnjë të përzgjedhur fitues.
15. Njësia përgjegjëse, në kushtet e rezultatit pa asnjë fitues ose me më pak fitues se planifikimi, rihap procedurën e pranimit në shërbimin civil, brenda 3 (tri) ditëve kalendarike nga marrja e vendimit të KPP-së. Në këtë rast, afati i dorëzimit të dokumenteve është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike.
16. Për institucionet e administratës shtetërore, lista e fituesve shpallet në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në faqen zyrtare të DAP-it dhe, nëse është e mundur, në faqen e internetit të institucionit.
17. Për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, lista e fituesve shpallet në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në stendat e informimit të publikut.
18. Kandidatët, që kanë marrë më pak se 70 pikë (70% të pikëve), renditen në një listë të posaçme, e cila nuk bëhet publike. Kandidatët, që nuk janë shpallur fitues, njoftohen nga njësia përgjegjëse.
19. Administrimi i listës së fituesve të nxjerrë nga KPP-ja bëhet nga njësia përgjegjëse.
20. Njësia përgjegjëse, brenda 3 (tri) ditëve kalendarike nga data e shpalljes së listës fituese, fton kandidatët fitues, duke respektuar renditjen e tyre, të zgjedhin nga lista e pozicioneve ekzistuese të lira, për të cilat kanë konkurruar.
21. Në rast refuzimi të kandidatit fitues për vendet vakante të propozuara apo në rast të mosemërimit të tij në një pozicion vakant ekzistues, kandidati vazhdon të qëndrojë në listën e fituesve për një periudhë dyvjeçare. Këtyre kandidatëve iu propozohen vendet e lira që mund të krijohen gjatë kësaj periudhe.
22. Njësia përgjegjëse, pas marrjes së miratimit zyrtar nga kandidati fitues, nxjerr aktin e emërimit, drejtuar kandidatit dhe institucionit të përzgjedhur.
23. Kandidati, pavarësisht nga e drejta për t’u ankuar në gjykatën administrative, ka të drejtë të bëjë ankim edhe në KPP për rezultatin e pikëve dhe renditjen në listën fituese, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së rezultateve të vlerësimit. Ankuesi merr përgjigje brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e depozitimit të ankesës.
PERIUDHA E PROVËS
1. Nëpunësi, që emërohet për herë të parë në shërbimin civil, i nënshtrohet një periudhe prove që zgjat një vit nga data e aktit të emërimit.
2. Gjatë periudhës së provës nëpunësi është i detyruar të ndjekë:
a) programin e detyrueshëm të trajnimit për periudhën e provës pranë ASPA-s;
b) udhëzimet e nëpunësit më të vjetër civil, nën kujdesin e të cilit ai është vendosur.
3. Nëpunësi më i vjetër civil përzgjidhet nëpunësi, i cili ka vjetërsinë më të madhe në detyrë dhe që bën pjesë në të njëjtën njësi organizative ku është emëruar nëpunësi në periudhë prove.
4. Nëpunësi më i vjetër civil duhet të jetë i së njëjtës kategori ose i një kategorie më të lartë dhe caktohet nga eprori direkt i nëpunësit në periudhë prove.
5. Eprori direkt, në rast largimi apo pamundësie të ushtrimit të detyrës nga nëpunësi më i vjetër në detyrë, merr masa për zëvendësimin e tij me nëpunësin e dytë më të vjetër në detyrë brenda së njëjtës njësi organizative.
6. Vendimi në përfundim të periudhës së provës merret bazuar në:
a) rezultatin e testimit në përfundim të ciklit të detyrueshëm të trajnimit në ASPA;
b) vlerësimin e rezultateve individuale në punë i cili bëhet sipas procedurave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për vlerësimin e arritjeve vjetore.
7. Bazuar në vlerësimet sipas pikës 6, të kreut V, të këtij vendimi, dhe pas marrjes së mendimit me shkrim nga nëpunësi civil më i vjetër, i përcaktuar sipas pikave 4 dhe 5, të kreut V, të këtij vendimi, eprori direkt është i detyruar të vendosë:
a) konfirmimin e nëpunësit civil, nëse ka përfunduar me sukses trajnimin e detyrueshëm në ASPA dhe është vlerësuar të paktën “kënaqshëm”;
b) zgjatjen një herë të vetme deri në 6 (gjashtë) muaj të periudhës së provës, në rast të mospërfundimit me sukses të trajnimit të detyrueshëm në ASPA, pamundësisë së vlerësimit të plotë të nëpunësit, në rastet e mungesës në detyrë të nëpunësit për shkak të trajnimit afatgjatë, raportit mjekësor afatgjatë dhe në raste të tjera, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, të cilat rregullojnë mungesën në detyrë të nëpunësit;
c) moskonfirmimin e nëpunësit civil.
8. Mosrealizimi i procedurës së përcaktuar në pikën 7 më sipër konsiderohet “mospërmbushje detyre” nga eprori direkt.
9. Në rast se gjatë periudhës së provës eprori direkt apo nëpunësi më i vjetër largohet nga ai pozicion pune apo ndodhet në pamundësi të vazhdimit të mëtejshëm të detyrës, ai është i detyruar të bëjë një vlerësim paraprak për nëpunësin në periudhë prove.
10.Vlerësimi paraprak merret si bazë nga nëpunësi zëvendësues në vlerësimin e tij përfundimtar.
11.Në rast se marrja e vlerësimit paraprak është e pamundur, nëpunësi zëvendësues bazohet në vlerësimet e herëpashershme.
12.Vendimi i eprorit direkt sipas pikës 7, të kreut V, të këtij vendimi duhet të jetë i arsyetuar dhe i njoftohet nëpunësit brenda 3 (tri) ditëve pune nga data e marrjes së vendimit.
13.Nëpunësi civil, pavarësisht nga e drejta për t’u ankuar në gjykatën administrative, brenda 5 (pesë) ditëve pune ushtron të drejtën e ankimit administrativ ndaj vendimit të eprorit direkt te nëpunësi më i lartë civil i institucionit, i cili merr vendim të arsyetuar për pranimin apo rrëzimin e ankesës brenda 5 (pesë) ditëve pune.
NGRITJA NË DETYRË
1. Në rastet kur një vend vakant në kategorinë e nivelit të mesëm apo të ulët drejtues nuk plotësohet nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, njësia përgjegjëse shpall procedurën e ngritjes në detyrë.
2. Plotësimi i vendeve të lira me procedurën e ngritjes në detyrë është i hapur për nëpunësit civilë të një kategorie më të ulët, në të njëjtin institucion apo institucione të tjera të shërbimit civil dhe që plotësojnë minimalisht kushtet e mëposhtme:
a) Të jetë nëpunës civil i konfirmuar;
b) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
c) Të ketë të paktën një vlerësim pozitiv;
ç) Të plotësojë kushtet e tjera të përcaktuara në vendimin e Këshillit tëMinistrave për klasifikimin e pozicioneve në shërbimin civil;
d) Të përmbushë kriteret e veçanta të përcaktuara në shpalljen për
konkurrim.
3. Rregullat për procedurën e rekrutimit siç parashikohet nga pikat 3-10, të kreut II, pikat 1-17, të kreut III, dhe pikat 1- 23, të kreut IV, të këtij vendimi, do të zbatohen edhe për procedurën e ngritjes në detyrë, me përjashtim të rastit, kur parashikohet ndryshe në këtë kre.
4. Vlerësimi i kandidatëve për ngritjen në detyrë realizohet nga Komisioni i Ngritjes në Detyrë, i cili ka në përbërje:
a) 1 (një) anëtar nga njësia përgjegjëse, i cili kryeson komisionin;
b) Për institucionet e administratës shtetërore, 1(një) anëtar nga burimet njerëzore të institucionit, pjesë e kategorisë se mesme drejtuese, i përcaktuar me short çdo dy vjet i organizuar nga DAP-i. Për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, 1(një) anëtar i zgjedhur nga titullari midis nëpunësve civilë të institucionit, nëse është e mundur të nivelit të mesëm drejtues;
c) Eprorin direkt të pozicionit, për të cilin zhvillohet konkurrimi;
ç) 2 (dy) ekspertë të fushës përkatëse, në varësi të fushës së vlerësimit.
5. Funksionimi i komisionit të ngritjes në detyrë dhe përzgjedhja e ekspertëve të fushës përkatëse në këtë komision bëhen sipas rregullave të përcaktuara për Komitetin e Përhershëm të Pranimit.
6. Struktura e ndarjes së pikëve të vlerësimit të kandidatëve është, si më poshtë vijon:
Totali i pikëve është 100, nga të cilat:
a) 20 pikë për dokumentacionin e dorëzuar (eksperiencë, trajnime, kualifikime të lidhura me fushën përkatëse, si dhe 2 vlerësimet e fundit pozitive);
b) 40 pikë për intervistën e strukturuar me gojë;
c) 40 pikë për vlerësimin me shkrim.
7. Kandidati/kandidatët fitues është/janë ai/ata që renditet/en i pari/të parët nga kandidatët që kanë marrë të paktën 70 pikë (70% të pikëve). Në rastet e kandidatëve me pikë të barabarta, zbatohen parashikimet e pikës 13, të kreut IV, të këtij vendimi.
8. Nëse konkurrohet për më shumë se një pozicion pune, njësia përgjegjëse, brenda 3 (tri) ditëve kalendarike nga data e shpalljes së listës së fituesve, i propozon kandidatëve fitues, duke respektuar renditjen e tyre, listën e pozicioneve të punës.
9. Njësia përgjegjëse, pas marrjes së miratimit zyrtar nga kandidati fitues, nxjerr aktin e emërimit drejtuar kandidatit dhe institucionit të përzgjedhur.
10. Shpallja e kandidatit fitues bëhet në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në faqen e internetit të institucionit, ndërsa për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, përveç portalit, ajo bëhet edhe në stendat e informimit të publikut.
11. Nëse vendi i lirë nuk plotësohet nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë, një procedurë tjetër e lëvizjes paralele apo ngritjes në detyrë mund të organizohet brenda një afati 3-mujor.
12. Brenda afatit 3-mujor të përcaktuar në pikën 11, vendi vakant për nevojat e institucionit mund plotësohet nga njësia përgjegjëse duke respektuar parashikimin e shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 48, të ligjit 152/2013, “PËR NËPUNËSIN CIVIL”.
PORTALI I REKRUTIMIT NË SHËRBIMIN CIVIL
1. Publikimi elektronik i të gjithë informacionit që i përket rekrutimit, lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë të nëpunësve civilë realizohet në portalin e “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në faqen zyrtare të DAP-it.
2. Shërbimi Kombëtar i Punësimit është përgjegjës për publikimin elektronik të informacionit në lidhje me rekrutimin, lëvizjen paralele dhe ngritjen në detyrë të nëpunësve civilë, si një nga shërbimet e ofruara në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”.
3. DAP-i është përgjegjës për publikimin elektronik në faqen zyrtare të procedurave dhe informacionit në lidhje me pranimin, lëvizjen paralele dhe ngritjen në detyrë të nëpunësve civilë.
4. Njësitë përgjegjëse të institucioneve të pavarura dhe njësive të qeverisjes vendore janë përgjegjëse për publikimin elektronik të informacionit në lidhje me pranimin, lëvizjen paralele dhe ngritjen në detyrë të nëpunësve civilë, në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”.
5. Institucionet përkatëse, që administrojnë respektivisht portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe faqen zyrtare të DAP-it, duhet të marrin masat për të ofruar kapacitetet dhe zgjidhjen me strukturën e nevojshme dhe të përshtatshme për të lehtësuar realizimin praktik dhe operimin e pandërprerë të publikimeve elektronike që lidhen me pranimin në shërbimin civil.
6. Shpenzimet për operimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin në mënyrë të vazhdueshme të të gjithë informacionit të publikuar elektronikisht në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” përbëjnë një zë të veçantë në buxhetin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
7. Shpenzimet për operimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin në mënyrë të vazhdueshme të të gjithë informacionit të publikuar elektronikisht në faqen zyrtare të Departamentit të Administratës Publike përbëjnë një zë të veçantë në buxhetin e DAP-it.
8. Vlefshmëria e informacionit, publikimeve dhe dokumenteve të tjera elektronike të publikuara në portal dhe në faqen zyrtare rregullohen nga legjislacioni përkatës për dokumentet elektronike.
DISPOZITA TRANSITORE
1. Deri në vënien në funksionim të portalit “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, përdoren mënyrat e njohura të komunikimit dhe njoftimit, sipas shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 60, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”.
2. Ngarkohet drejtori i Departamentit të Administratës Publike të nxjerrë udhëzuesin përkatës, për procedurat e detajuara për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
PËRSHKRIMIN DHE KLASIFIKIMIN E POZICIONEVE TË PUNËS NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE DHE INSTITUCIONET E PAVARURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 dhe 69, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
I. Dispozita të përgjithshme
1. Ky vendim përcakton:
a) klasat e zbatueshme për secilën nga kategoritë e përcaktuara në nenin 19, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”;
b) përshkrimin e përgjithshëm të punës dhe kërkesat e përgjithshme për çdo kategori, klasë dhe grup;
c) pozicionet që bëjnë pjesë në çdo kategori, klasë dhe grup;
ç) metodologjinë e klasifikimit të një pozicioni në një kategori, klasë dhe GRUP TË CAKTUAR.
2. Vendimi është i zbatueshëm për të gjitha institucionet pjesë të shërbimit civil, ku përfshihen: institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj të posaçëm, si dhe qarqet, bashkitë dhe komunat.
3. Për qëllim të këtij vendimi, institucionet e administratës shtetërore janë sipas lidhjes 1, bashkëlidhur këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij.
4. Përkufizime:
a) “Analisti i punës”, nëpunësi përgjegjës për mbledhjen e informacionit për pozicionin e punës dhe analizimin e këtij informacioni me qëllim përcaktimin e saktë të detyrave, përgjegjësive e kërkesave të veçanta të pozicionit dhe hartimin e përshkrimit të punës;
b) “Aftësi”, zotësia për të kryer një ose disa veprime të vëzhgueshme që kanë si rezultat një produkt të matshëm ose të dukshëm;
c) “Njohuri”, tërësia e njohurive/informacionit që zbatohet direkt në kryerjen e detyrave të pozicionit të punës;
ç) “Vlerësim pune”, zbatimi i metodave për vlerësimin e punës me qëllim përcaktimin e vlerës relative të çdo pozicioni pune në shërbimin civil dhe klasifikimin racional në kategorinë dhe klasën përkatëse.
KLASIFIKIMI
5. Klasat e zbatueshme për secilën kategori, si dhe emërtesat e pozicioneve të punës që i përkasin secilës klasë të jenë, si më poshtë vijon:
Kategoria I – Nëpunës civilë të nivelit të lartë drejtues
Klasa Emërtimi i pozicionit
1 Sekretar i Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave, Presidencë, Kuvend dhe institucione të pavarura kushtetuese.
2 Sekretar i Përgjithshëm në ministritë e linjës, institucionet e pavarura të krijuara me ligj/drejtor departamenti/ titullarë të institucioneve në varësi të Kryeministrit apo ministrave të linjës.
3 Sekretar i Përgjithshëm në qarqe, bashki, komuna, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme në Kryeministri, ministritë e linjës, institucionet e pavarura të krijuara me ligj/titullarë të institucioneve në varësi të Kryeministrit apo ministrave të linjës.
Kategoria II – Nëpunës civilë të nivelit të mesëm drejtues
Klasa Emërtimi i pozicionit
1 Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme në qarqe, bashki, komuna, drejtor drejtorie në Kryeministri, ministritë e linjës, institucione të pavarura të krijuara me ligj, titullarë të institucioneve në varësi të ministrave të linjës, drejtor drejtorie në institucionet në varësi të Kryeministrit apo ministrave të linjës;
2 Drejtor drejtorie në institucionet në varësi të Këshillit të Ministrave, ministrave të linjës, qarqe, bashki, komuna.
Kategoria III – Nëpunës civilë të nivelit të ulët drejtues
Klasa Emërtimi i pozicionit
1 Shef sektori i nivelit A;
2 Shef sektori i nivelit B.
Kategoria IV – Nëpunës civilë të kategorisë ekzekutive
Klasa Emërtimi i pozicionit
1 Specialist i nivelit A;
2 Specialist i nivelit B;
3 Specialist i nivelit C;
4 Specialist i nivelit D.
6. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për administratën publike, përcakton pozicionet e barasvlefshme për secilën nga klasat e nivelit të lartë drejtues, të mesëm drejtues dhe të ulët drejtues.
7. Vlerësimi i pozicioneve për rastet e parashikuara në pikën 6, të nënndarjes II, të këtij vendimi, bëhet nga Departamenti i Administratës Publike, pas marrjes së kërkesës nga ministri/institucioni i pavarur. Departamenti i Administratës Publike ia përcjell vlerësimin ministrit përgjegjës për administratën publike për propozimin e mëtejshëm në Këshillin e Ministrave.
8. Përshkrimi i përgjithshëm i punës, si dhe kërkesat për pranimin në çdo kategori dhe klasë përcaktohen në lidhjen 2, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij vendimi.
III. Grupet e pozicioneve të punës
9. Pozicionet e shërbimit civil të kategorisë ekzekutive klasifikohen sipas natyrës së pozicionit në:
a) grupet e pozicioneve të administrimit të posaçëm dhe;
b) grupin e pozicioneve të administrimit të përgjithshëm.
10. Secili grup i administrimit të posaçëm përfshin pozicionet e ngjashme, në një apo më shumë institucione të shërbimit civil, që kanë të bëjnë me ushtrimin e përgjegjësive specifike, kryerja me sukses e të cilave kërkon njohuri dhe aftësi të posaçme, të cilat burojnë dhe lidhen domosdoshmërisht me zotërimin e një apo disa profesioneve të ngjashme.
11. Grupi i pozicioneve të administrimit të përgjithshëm përfshin të gjitha pozicionet që nuk janë pjesë e një grupi të administrimit të posaçëm dhe që kanë të bëjnë me ushtrimin e përgjegjësive të përgjithshme administrative, kryerja me sukses e të cilave kërkon njohuri dhe aftësi të përgjithshme administrative, të cilat nuk burojnë apo lidhen domosdoshmërisht me një ose disa profesione te caktuara.
12. Grupet e pozicioneve të administrimit të posaçëm përcaktohen në lidhjen 3, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij vendimi.
PROCEDURA DHE FORMATI I PËRSHKRIMIT TË PUNËS
13. Përshkrimi i punës është një përmbledhje e misionit, qëllimit të përgjithshëm, detyrave kryesore dhe përgjegjësive kryesore të pozicionit respektiv të punës. Ai shërben për:
a) të njohur nëpunësin civil me punën që duhet të kryejë;
b) vlerësimin dhe klasifikimin e pozicionit të punës;
c) vlerësimin e rezultateve në punë;
ç) përcaktimin e kërkesave të veçanta për çdo pozicion pune në
shërbimin civil.
14. Përshkrimet e punës hartohen kur krijohen institucione të reja, kur ndryshon mënyra e organizimit të institucionit apo kur kanë ndodhur ndryshime ose miratime të legjislacionit specifik mbi bazën e të cilit funksionon institucioni.
15. Si rregull, përshkrimi i punës hartohet nga analisti i punës, në bashkëpunim me eprorin direkt të pozicionit respektiv të punës.
16. Në rastet kur në institucion mungon analisti i punës, përshkrimi i punës hartohet nga drejtuesi i njësisë organizative përgjegjëse për menaxhimin e burimeve njerëzore, në bashkëpunim me eprorin direkt të pozicionit respektiv të punës.
17. Në rastin e krijimit të institucioneve të reja, përshkrimet e punës hartohen nga njësia përgjegjëse për menaxhimin e burimeve njerëzore, në Kryeministri apo në ministrinë nga e cila varet institucioni.
18. Përshkrimi i punës miratohet nga:
a) sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, për Kryeministrinë dhe institucionet në varësi të Kryeministrit;
b) sekretari i Përgjithshëm i institucionit të pavarur, për institucionet e pavarura;
c) sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, për ministrinë dhe institucionet në varësi të ministrit;
ç) sekretari i Përgjithshëm apo pozicioni ekuivalent me të, për qarqet, bashkitë dhe komunat.
19. Departamenti i Administratës Publike, për institucionet e administratës shtetërore, apo njësia përgjegjëse, për institucionet e tjera pjesë të shërbimit civil, kthejnë për rishikim përshkrimet e punës për pozicionet respektive në rast se vërejnë se ato nuk janë të hartuara në bazë dhe në përputhje me legjislacionin specifik të fushës apo formatin standard të miratuar.
20. Përshkrimet e punës depozitohen në Departamentin e Administratës Publike, për institucionet e administratës shtetërore, apo njësinë përgjegjëse, për institucionet e tjera, pjesë të shërbimit civil.
21. Formati i përshkrimit të punës për pozicionet e shërbimit civil, të jetë sipas lidhjes 4, bashkëlidhur këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij.
PROCEDURA DHE METODOLOGJIA E VLERËSIMIT DHE KLASIFIKIMIT TË POZICIONEVE TË PUNËS
22. Vlerësimi i pozicionit të punës ka si qëllim të përcaktojë vlerën relative të çdo pozicioni pune në shërbimin civil dhe të mundësojë klasifikimin e tij në kategorinë dhe klasën përkatëse.
23. Vlerësimi i pozicionit të punës kryhet kur:
a) krijohet një pozicion i ri pune;
b) ndryshimi i përshkrimit të punës për pozicionet ekzistuese është aq thelbësor sa kërkon një riklasifikim të pozicionit, në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e reja;
c) kërkohet në bazë të ligjit ose akteve nënligjore.
24. Procesi i vlerësimit të punës ndjek këto faza:
a) krijimi i komitetit të vlerësimit;
b) identifikimi i pozicionit/pozicioneve të punës që do të vlerësohen;
c) vlerësimi me faktorë dhe pikëzimi sipas metodologjisë së vlerësimit të pozicionit të punës;
ç) klasifikimi i pozicionit të punës në kategorinë, klasën dhe grupin përkatës.
25. Çdo pozicion pune vlerësohet dhe klasifikohet duke u bazuar në përshkrimin e punës.
26. Çdo pozicion vlerësohet lidhur me katër faktorë kryesorë të klasifikimit, të matur përmes kritereve përgjegjëse.
Tabela
Faktori Kriteri 1 Kriteri 2
Zgjidhja e problemit Kompleksiteti Pasoja
Vendimmarrja Lloji i vendimit Liria për të vepruar
Mjedisi menaxhues Fokusi operacional Marrëdhëniet e varësisë
Mjedisi teknik Arsimi
27. Për çdo pozicion përcaktohen pikët për secilin nga faktorët e matur dhe shuma totale e pikëve të katër faktorëve përcakton edhe vlerën relative të pozicionit të punës në shërbimin civil dhe, për rrjedhojë, klasën së cilës ky pozicion i përket.
28. Metodologjia për vlerësimin e punës të jetë sipas lidhjes 5, bashkëlidhur këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij.
29. Procesi i vlerësimit të punës për çdo pozicion pune kryhet nga një komitet vlerësimi. Komiteti i vlerësimit krijohet nga:
a) sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, për Kryeministrinë dhe institucionet në varësi të Kryeministrit;
b) sekretari i Përgjithshëm i institucioneve të pavarura, për institucionet e pavarura;
c) sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, për ministrinë dhe institucionet në varësi të ministrit;
ç) sekretari i Përgjithshëm ose pozicione të barasvlefshme me të në
qark, bashki, komunë.
30. Në rastin e Kryeministrisë, ministrisë, institucioneve të pavarura dhe njësive të qeverisjes vendore, komiteti vlerësues përbëhet nga tre anëtarë, njëri prej të cilëve është i ngarkuar me funksionin e analistit të punës ose ndonjë funksion tjetër të menaxhimit të burimeve njerëzore, kurse dy anëtarët e tjerë janë nëpunës civilë me përvojë në institucion.
31. Në rastin e institucioneve në varësi të Kryeministrit ose ministrit komiteti i vlerësimit përbëhet nga pesë anëtarë:
a) analisti i punës ose një nëpunës tjetër nga njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore në institucionin mëmë;
b) analisti i punës ose një nëpunës tjetër nga njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore të institucionit për të cilin kryhet procesi;
c) një nëpunës civil me përvojë nga institucioni mëmë;
ç) dy nëpunës civilë me përvojë nga institucioni për të cilin kryhet procesi.
32. Vlerësimi i pozicionit të punës bazohet në analizën e punës dhe përshkrimin e punës.
33. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit të pozicioneve të punës për institucionet e administratës shtetërore, propozimet i dërgohen për miratim Departamentit të Administatës Publike.
34. Departamenti i Administratës Publike kontrollon procedurën e ndjekur për vlerësimin e pozicionit të punës, si dhe themelin e propozimit për klasifikim.
35. Departamenti i Administratës Publike, për institucionet e administratës shtetërore:
a) miraton propozimin për klasifikim të pozicionit/pozicioneve të punës;
b) kthen për rivlerësim pozicionin/pozicionet e punës dhe vendos një afat
të arsyeshëm për plotësimin e rivlerësimit.
36. Departamenti i Administratës Publike jep mendim lidhur me vlerësimin e pozicioneve të punës së kryer nga institucionet e pavarura.
37. Departamenti i Administratës Publike këshillon dhe bashkëpunon me njësitë e qeverisjes vendore për vlerësimin e pozicioneve të punës.
38. Departamenti i Administratës Publike përgatit manuale shpjeguese për vlerësimin dhe klasifikimin e pozicioneve të punës.
PARASHIKIME TË TJERA
39. Në rastet e ndryshimit të përshkrimit të punës, ndryshimit të klasifikimit apo kërkesave të vendit të punës, nëpunësit civilë trajtohen sipas nenit 50, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civl”.
DISPOZITA TRANSITORE
40. Të gjitha institucionet e përmendura në pikën 2, të nënndarjes I, të këtij vendimi, të përfundojnë hartimin e përshkrimit të pozicioneve të punës deri në datën 1 korrik 2014.
41. Institucionet e administratës shtetërore të depozitojnë pranë Departamentit të Administratës Publike të gjitha përshkrimet e punës së pozicioneve të shërbimit civil, deri në datën 1 korrik 2014.
42. Vlerësimi i pozicioneve të punës nuk do të prodhojë efekte në sistemin e pagave deri në kryerjen e reformës në këtë sistem.
43. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike për udhëheqjen metodologjike të procesit, si dhe hartimin e manualeve shpjeguese për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





