“Çdo nëpunës mund të jetë pjesë e fushatës, por këtë duhet ta bëjë jashtë orarit të punës dhe jashtë perimetrit të institucioneve të administratës”. Kështu deklaroi në një dalje për mediat, Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu.
Ajo u shpreh se nëpunësi nuk mund të jetë drejtues i forumeve politike, ndërsa theksoi gjithashtu se administrata nuk mund të detyrohet të marrë pjesë në fushatë brenda orarit të punës. Për këtë, qeveria ka marrë vendim për ngritjen e një strukture monitoruese, tha Koçiu.
“DAP së bashku me strukturat monitoruese do të vazhdojë të ketë në vëmendje çdo presion që do t’i bëhet punonjësve për të marrë pjesë në fushatë pa dëshirën e tyre”, theksoi drejtoresha Koçiu.





