I riu Nertil Zotaj, i cili u arrestua një ditë më parë për sulmin me acid ndaj gjyqtares Mirela Mishgjoni, ka dhënë dëshminë e tij në polici lidhur me këtë sulm. Ja çfarë ka deklaruarj:
“Gjyqtarja Mirela Mishgjoni më mbajti në burg më shumë sesa ishte dënimi. Ajo vendosi të më lirojë dy javë pasi kisha mbaruar dënimin, prandaj bleva acidin sanitare dhe ia hodha. E mësova në burg se ai lloj ilaçi për larjen e pllakave të jepte djegie, pasi merresha me pastrimin e tualeteve të burgut. Unë kisha detyrë të laja tualetet me acid sanitar çdo ditë. Një ditë një bashkëvuajtës bëri duart me acid. Brenda pak minutash duart iu acaruan deri në djegie. Nga ky moment unë mendova se e gjeta mënyrën se si të hakmerresha ndaj gjyqtares më shumë për ta trembur, sesa për t’i bërë keq. Nga burgu kam dalë në janar. Ato dy ditë para sulmit, mendoja për të kryer veprimin. Bleva bidonin me acid në një dyqan, çmimi ishte 200 lekë. Kisha informacion se ku banonte gjyqtarja dhe ditën e ngjarjes u ngrita herët dhe me bidon në dorë e prita sa doli nga banesa e saj. Aty te kolonat hodha acidin në drejtim të saj pa e ditur se ku do e kapte dhe më pas u largova me vrap”, ka thënë Zotaj.
Nertil Zotaj pretendon se ishte dënuar më shumë se ç’përmbante ligji. Sipas tij, ishte absurde që për vjedhjen e një pompe që kushtonte 3 mijë lekë, të dënohej me 11 muaj burg dhe 150 mijë lekë gjobë. Ndërkohë që ai sqaron se duhej të ishte liruar më 16 dhjetor dhe është liruar më 12 janar.





