Mërgim Mavraj ka reaguar përmes faqes së tij në Facebook, duke i konsideruar dashakeqe dhe të transformuara deklaratat e tij për tifozët e Hamburgut. Ai nënvizon: “Më duhet të sqaroj një deklaratë timen, dhënë për tifozët e Hamburgut, që është transformuar dhe rrjedhimisht keqpërdorur. Sigurisht që kam respekt për vendin ku familja ime gjeti strehim, punë dhe ushqim. Ndiej dashuri për këtë vend, por atdheu im është Shqipëria dhe gjuha ime është shqipja.
Në fushë s’jam kursyer kurrë, edhe duke rrezikuar karrierën. Mërgim Mavraj nuk është atdhetar i rrjeteve sociale, por i fushës.” Janë vlerësuar të çuditshme disa porononcime të qendërmbrojtësit tonë kuqezi, të bëra para tifozëve të skuadrës ku luan aktualisht, 48 orë më parë, gjatë bashkëbisedimit në një “fan-club”. Mes të tjerash, tifozët e kanë pyetur Mavrajn nëse e sheh veten kandidat për të marrë shiritin e kapitenit të kombëtares shqiptare në ndeshjen me Izraelin dhe çfarë ndodhi që nuk luajti për Gjermaninë, meqë është lindur e rritur në Hanau.
“Unë isha shumë i keq për gjermanët, – u përgjigj 30-vjeçari me të qeshur, teksa kishte parasysh periudhën kur ishte pjesë e kombëtareve të moshave gjermane. – Do të kishte qenë një ëndërr të luaja për Gjermaninë. Fatkeqësisht, nuk u realizua”. Për kualifikimin historik të Shqipërisë në finalet e “Euro 2016”, Mavraj tha: “Për bashkëkombësit tanë, ndoshta ky ishte njëlloj si rënia e Murit të Berlinit në Gjermani”.