30 maj 2015 – Mund t’ju duken si fjalë të pakuptimta ndonjëherë ato që thonë kandidatët e Bashkisë së Durrësit? Por, jeni ankuar më kot, sepse po të ishit votues për Bashkinë e Finiqit, duhet të mësoni më parë greqisht. Jani Babi është kandidati i PBDNJ-së që kandidon për Bashkinë e Finiqit, krijuar në disa zona minoritare që dikur i përfshinte Saranda.

Ndonëse është shtetas shqiptar dhe zgjedhjet bëhen në territorin e Shqipërisë, posteri e slogani i Jani Babit është në gjuhën greke. Nëse klikon në rrjetin social Facebook, ku çdo kandidat ka hapur profilin e tij zgjedhor, aty mund të lexohet vetëm greqisht. Edhe shtabi elektoral i Babit nuk ka respektuar rregullat e shtetit shqiptar, pasi postimet e aktiviteteve janë vetëm në gjuhën greke dhe në asnjë moment nuk shkruhet shqip. Si për ironi, te një foto që po publikojmë aktiviteti po zhvillohet në një klasë, ku në tabelë dhe në mure ka fjalë shqipe.

Dikur komunë, Finiqi sot, me ndarjen e re territoriale konsiderohet bashki, ku popullsia është e përzier mes shqiptarëve, me kombësi dhe shtetësi, si dhe minoritarëve, me kombësi greke dhe shtetësi shqiptare.

Përballë Jani Babit kandidon përfaqësuesi i MEGA-s, (parti minoritare), Leonidha Kristos, i cili nuk ka ende një profil të tijin, por aktivitetet i zhvillon në gjuhën shqipe. Kristos është mbështetur dhe nga deputeti i zonës, socialisti Koço Kokëdhima.

 

 

 

 

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”