Gratë dhe vajzat me flokë të thatë ankohen gjithmonë për vështirësitë që hasin në stilimin e tyre. Flokët e thatë kanë tendencën të ashpërsohen dhe të ngjajnë si kashtë. Për më tepër, ato këputen lehtësisht dhe kanë shkëlqim të pakët. Një nga zgjidhjet më të mira për flokun e thatë, gjendet në kuzhinën e gjithësecilit prej nesh.
Bëhet fjalë për vajin e ullirit, acidet yndyrore të të cilit ushqejnë jo vetëm flokun por edhe skalpin. Vaji i ullirit ka aftësi mbrojtëse për flokun, sidomos për atë që është subjekt i vazhdueshëm i tharjeve dhe stilimeve me temperaturë të lartë. Ai është shumë i pasur me antioksidantë, vitamina dhe minerale që e ushqejnë flokun. Në këtë artikull do të mësoni se si të shfrytëzoni të mirat e vajit e ullirit për flokun e thatë.
Maskë me vaj ulliri dhe vajin e arrës së kokosit
Për përgatitjen e kësaj maske ju nevojiten:
• 2 lugë gjelle vaj i arrës së kokosit
• 2 lugë gjelle vaj ulliri ekstra të virgjër,
• Peshqir i ngrohur.
Përziejini të dy vajrat dhe ngrohini në një enë për disa sekonda. Më pas, maskën vendoseni në flokë duke nisur nga rrënjët e deri tek majat. Masazhojeni kokën për 10-15 minuta dhe më pas mbulojeni me peshqir të ngrohur për 30 minuta të tjera. Lajeni flokun si zakonisht dhe lëreni të thahet vetë. Kjo maskë përdoret dy herë në javë.
Vaj ulliri dhe mjaltë
Për këtë maskë ju nevojiten:
• Gjysëm filxhan çaj mjaltë,
• Treçerek filxhan vaji ulliri ekstra i virgjër
• Kapuç dushi
Përziejeni mjaltin me vajin e ullirit dhe futeni në mikrovalë për 15 sekonda që të ngrohen. Lajeni flokun dhe thajeni me peshqir. Më pas vendosni maskën dhe vendosni kapuçin e dushit. Pas 30 minutash, lajeni flokun me shampo dhe lëreni të thahet natyralisht. Kjo maskë duhet përdorur një herë në javë.
Vaj ulliri dhe e verdha e vezës
Për këtë maskë ju nevojiten:
• 2 të verdha vezësh,
• 2 lugë gjelle vaj ulliri ekstra i virgjër,
• Kapuç dushi
Përziejini të verdhat e vezës dhe vajin e ullirit dhe lyejeni flokët nga rrënjët tek majat. Më pas vendosni kapuçin e dushit dhe prisni një orë. Lajeni flokun me shampoo dhe lëreni të thahet vetë. Kjo maskë duhet përdorur një herë në javë. Për flokun e thatë, ju mund ta përdorni vajin e ullirit duke e përzier me lëngun e freskët të limonit ose majonezë./AgroWeb.org