"Kini kujdes! Nëse kjo femër ju çon kërkesë miqësie në rrjetet sociale mos e pranoni, ose njoftoni policinë".

Kjo është thirrja që kanë bërë autoritetet policore britanike, pasi një 43-vjeçar nga Mançesteri denoncoi pranë policisë faktin se ishte mashtruar nga një femër, të cilës i kishte dërguar rreth 230 mijë euro.

Gjithçka nisi nga një kërkesë miqësie në Facebook, që u shndërrua në një lidhje në distancë. Lidhja mes të dyve zgjati për ca kohë. Gruaja pretendonte se jetonte në Afrikën e jugut dhe i ankohej të dashurit të saj virtual se vuante problem ekonomike. Ky i fundit i nisi disa herë para, por më pas vajza i humbi gjurmët, shkruan The Sun.

Policia e Mançesterit ka hapur një hetim dhe zbuloi se gruaja kishte mashtruar edhe persona të tjerë. Ajo prezantohej në rrjetet sociale me emra të ndryshëm si: Christy Dunn, Martha Cameron ose Miranda Stinson. 

Sipas policisë britanike, dyshohet se femra në fjalë është pjesë e një rrjeti mashtruesish online. 

M.P.