Konsumimi i lartë i peshkut lidhet me një rrezik të shtuar të kancerit të lëkurës, sipas një studimi të ri të publikuar në SHBA. Studiuesit supozuan se gjetjet e tyre mund t’i atribuohen kimikateve në trupin e peshkut, shkruan The New York Times.
Gjetjet përfshinë një sondazh prej 491.367 të rriturish, me një moshë mesatare 62 vjeç. Prej tyre, 5034 (afërsisht 1%) u diagnostikuan me melanoma malinje dhe 3284 (0.7%) me melanoma të stadit 0.
Sipas studimit, rreziku i melanomës malinje ishte 22% më i lartë për ata që konsumonin mesatarish 43 gram peshk në ditë në krahasim me ata që konsumonin vetëm 3.2 gram. Ndërsa rreziku i zhvillimit të qeliazave kancerogjone vetëm në shtresën e jashtme të lëkurës ishte 28%.
Ata që konsumonin mesatarisht 14.2 gram ton në ditë kishin një rrezik 20% më të lartë të melanomës malinje dhe 17% të melanomës së fazës 0, në krahasim me ata që konsumonin 0.3 gram.
Gjithashtu, ata që konsumonin në ditë 17.8 gram peshk, ton ose sardele të konservuara kishin një rrezik 18% më të lartë të melanomës malinje dhe 25% të melanomës së fazës 0. Nga ana tjetër, nuk u gjet asnjë lidhje domethënëse midis peshkut të skuqur dhe melanomës.
Studiuesit theksuan nevojën për të hetuar më tej lidhjen midis konsumit të peshkut dhe melanomës, forma më agresive e kancerit të lëkurës. Studiuesit supozuan se gjetjet e tyre mund t’i atribuohen kimikateve në trupin e peshkut (bifenile të poliklorinuara, dioksina, arsenik, merkur, etj.), të cilat më pas kalojnë te njerëzit për shkak të konsumit.
Megjithatë, ata e konsiderojnë të parakohshme rekomandimin për ndryshime në konsumin e peshkut dhe bëjnë thirrje që kjo çështje të studiohet më tej.