KOSOVE, 09 mars 2013 – 23 qershori është “Dita D” për Edi Ramën. Nëse nuk arrin të bëhet kryeministër i Shqipërisë, ai planifikon të jap dorëheqje nga kreu i Partisë Socialiste, ku është zgjedhur para rreth 8 vjetësh. Mënyra e komunikimit me qytetarët, gjuha, qasja e re, rinovimi i ekipit, përkushtimi dhe vizitat në gjitha viset ku jetojnë shqiptarët, janë elementet që shihen në betejën më të rëndësishme politike të tij kundër liderit më jetëgjatë demokrat në qeverisje, Sali Berisha.
Në një intervistë për gazetën kosovare “Tribuna”, Rama ka folur për Rrugën e Kombit e cila siç tregon ai është projektuar nga qeverisja e partisë së tij kur Pandeli Majko ishte kryeministër. Ai ka folur edhe për propagandën negative ndaj tij në Kosovë që sipas tij, ia ka bërë kryeministri aktual Sali Berisha.
Kundërshtari i tij politik, Berisha, siç ka thënë Rama, gjatë luftës në Kosovë i ka ndjekur themeluesit dhe udhëheqësit e UÇK-së që qëndronin për çështje organizative në Tiranë duke i trajtuar si narko-trafikantë, marksistë leninistë. Siç tregon ai para se të niste lufta në Kosovë, kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, është burgosur në Tiranë nga udhëheqësia e atëhershme.