Ambasada e SHBA në Shqipëri ka publikuar një njoftim të rëndësishëm në rrjetin “X” për personat që dëshirojnë të vizitojnë Shtetet e Bashkuara me viza. Sipas këtij njoftimi, nëse një person i huaj thyen ligjin në tokën amerikane, ai mund të mos lejohet më kurrë të hyjë në SHBA.

Ambasada thekson se të huajt, përfshirë studentët, mund të përballen me refuzim të vizave, revokim të tyre ose edhe dëbim nga territori amerikan.

Kujtojmë se disa ditë më parë, Ambasada e SHBA njoftoi se, pavarësisht dhënies së vizave, kontrolli mbi ata që udhëtojnë në Amerikë do të jetë i vazhdueshëm, me qëllim sigurimin e integritetit dhe sigurisë. Në një mesazh të lëshuar, Ambasada theksoi se “Departamenti i Shtetit i ShBA është i përkushtuar të bëjë Amerikën më të sigurt përmes politikave më kërkuese.”

Gjithashtu, ambasada nënvizon se kontrolli i vazhdueshëm i vizave është një masë thelbësore. “Kontrolli i vizave amerikane nuk ndalon pas lëshimit të vizës. Ne i kontrollojmë vazhdimisht mbajtësit e vizave për t’u siguruar që ata ndjekin të gjitha ligjet dhe rregullat e emigracionit të SHBA dhe ne do t’ua heqim vizat dhe do t’i dëbojme nëse nuk e bëjnë këtë,” përfundon njoftimi.