Thuhet se zonja e parë e SHBA ka thyer rregullat e vizës së saj turistike në SHBA gjatë kohës që ka punuar atje si modele.
Avokatët e imigracionit kanë thënë se Melania Trump do ishte personi i parë që do dëbohej dhe do i ndalohej hyrja në SHBA nëse Donald Trump do të kishte qenë president kur ajo punonte si modele në Amerikë në vitet 1990.
Në vitin 1996, tashmë zonja e parë, paguhej për punën si modele në Shtetet e Bashkuara, ndërsa udhëtonte me një vizë turistike, që sipas dokumenteve të marra nga Associated Press, përbën një shkelje të kushteve të hyrjes.
Zonja e parë thuhet se fitoi më shumë se 20.000 $ (16,000 £) në 7 javët e para të qëndrimit para se të merrte leje ligjore për të punuar në SHBA.
Ajo aplikoi për “Green Card” në vitin 2001 dhe u bë nënshtetase amerikane në vitin 2006.
Nën rregullat e reja të paraqitura nga Trump muajin e kaluar, zyrtarët e emigracionit tashmë u kanë dhënë prioritet dëbimit të të gjithë nënshtetasve të huaj “të cilët janë përfshirë në mashtrime ose keqinterpretim të qëllimshëm në lidhje me çfarëdo çështje zyrtare ose aplikimin përballë një agjencie qeveritare”.
Disa avokatë të migrimit thanë se Melania Trump e ka vënë veten në këtë pozicion kur shkeli vizën e saj dhe aplikoi për leje udhëtimi dhe qëndrimi në të ardhmen.
Ajo me shumë gjasa do ishte dëbuar nga SHBA për parregullsinë që po kryente në vitet 1990, para se të fitonte nënshtetësinë amerikane në vitin 2005, nëse urdhri i 25 janarit i presidentit Trump do kishte qenë në fuqi.