Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit, duke përcjellë urimet më të përzemërta për paqe, shëndet dhe begati në familje dhe më gjerë.
Përmes një videomesazhi, ai thekson se muaji i Ramazanit ishte udhëtim shpirtëror përkushtimi, sakrifice dhe afrimi me Zotin.
Spahiu uroi që festa e Fiter Bajramit “të jetë një moment gëzimi, bashkimi dhe mirësie për çdo familje shqiptare”.
“Sot jemi në ditën e fundit të një muaji adhurimi, mëshire, faljeje e solidariteti. Nesër kemi festën e Fiter Bajramit. Kam nderin dhe kënaqësinë t’iu përcjell urimet më të sinqerta me rastin e kësaj feste të bukur. Ramazani ishte një udhëtim shpirtëror i përkushtimit, sakrificës dhe afrimit me Zotin. Përmes agjërimit, lutjeve dhe veprave të mira ne forcuam besimin tonë dhe ndjenjën e solidariteti me njëri-tjetrin.
Fiter Bajrami është festa që na kujton vlerat më të larta njerëzore, mëshirën, dashurinë, faljen dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë. Le të jetë kjo ditë një moment gëzimi dhe bashkimi dhe mirësie për çdo familje shqiptare. Në emër të KMSH, ju uroj nga zemra gëzuar Fiter Bajramin. Zoti e pranoftë agjërimin dhe lutjet tuaja dhe iu dhëntë paqe, shëndet e begati në familjet tuaja. “, thekson Spahiu.





