Imami Ervin Qylafku, i cili drejton Xhaminë e Madhe në Durrës, në urimin e tij për besimtarët për ditën e Fitër Bajramit, lutet vetëm për begati e mirësi. Urimi i imamit nuk ndalet vetëm te besimtarët myslimanë, por tek të gjithë njerëzit.
“Iu uroj të gjithë besimtarëve myslimanë, që Zoti t’ia bekojë dhe t’ia pranojë të gjitha sakrificat e tyre, Zoti t’i begatojë në familjet e tyre, t’iu japë vëtëm të mira në këtë jetë e në tjetrën. Kam lutje dhe për të gjithë njerëzit, që Zoti t’iu japë vetëm mirësi, lumturi, kthim në normalitet dhe t’ia bekojë jetën familjeve”.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njoftoi të gjithë besimtarët se dita e parë e Fitër Bajramit është të dielën, më 24 maj 2020. Duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në Shqipëri, KMSH bën me dije se namazi i Fitër Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia sipas masave dhe protokollit të publikuar më parë.





