20 nxënës të degës së kitarës do të luajnë nesër pjesë të ndryshme të muzikës klasike, baroke, romantike, kontemporane në pallatin e kulturës “Aleksandër Mosiu” në Durrës.
Këtë vit, kur shënohet edhe viti i shtatë i organizimit të “Guitar Festival”, përveç nxënësve të shkollës “Jan Kukuzeli” në Durrës, marrin pjesë edhe nxënës nga shkolla artistike e Lushnjes si dhe studentë të Universitetit të Arteve, të cilët, tre më të mirët në fund do të vlerësohen edhe me çmime.
Drejtuesi Orges Mema tregon se risia e këtij programi është edhe përfshirja e dy nxënësve me aftësi ndryshe të cilët janë pjesë e shkollës dhe kanë pasur ecuri të shkëlqyer.
“Mendova që qytetit tonë, publikut durrsak t’i dhurojmë këtë lloj eventi.”, thotë Dashamir Mehmeti, profesori i kitares ndërsa tregon se idea për krijimin e një festivali të tillë i ka ardhur spontanisht duke parë edhe nivelin e nxënësve.
“Guitar Festival” është kthyer në traditë tashmë për artistët e shkollës “Jan Kukuzeli”, të cilët presin të gjithë artëdashësit të premten në orën 19:00 në sallën e pallatit të kulturës.
G.D.