Vendoset ora për mbajtjen e seancës plenare. Burime nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së bëjnë me dije se deputetët janë njoftuar se seanca do të mbahet të martën në orën 10:00.
Rreth orës 12:00, edhe Kuvendi njoftoi në faqen zyrtare seancën plenare.
Në seancën e ditës së nesërme, pritet të bëhet betimi i katër deputetëve të LSI-së që do të marrin sot mandatin nga KQZ.
Ministrisë së Brendshme i është kërkuar të garantojë sigurinë fizike të deputetëve të mazhorancës, pasi para Kuvendit do të protestojë dhe opozita.
Vetë kryeministri Rama mësohet të ketë deklaruar në mbledhjen e grupit se nuk do të ketë skena si javën e kaluar.
Deputetët socialistë janë urdhëruar që në 09:30 duhet të jenë futur të gjithë në sallë. Kjo ka vënë në lëvizje demokratët, ku Sekretariati Organizativ i PD-së u ka dërguar sms degëve që në orën 9:30 protestuesit të mblidhen para Kuvendit.





