Fermerët kanë edhe pak orë në dispozicion për të aplikuar për Skemën Kombëtare dhe të marrin mbështetje financiare nga Buxheti i shtetit. Aplikimet mbyllen më 19 prill, ndërkohë që numri i më i madh i kërkesave është bërë për të marrë naftën pa taksa.

“Kanë aplikuar 66400 fermer, grupimet me të mëdha jeni për naftën 51 mijë, dhe masa 1 deri në masën 7 që përfshin blegtorinë janë rreth 15 mijë”, thotë zëvendësministri i Bujqësisë Arian Jaupllari.
Zëvendësministri i Bujqësisë Arian Jaupllari, tregon se aplikimet më të shumta kanë qenë nga Korça dhe Fieri, ndërkohë që shumë fermerë kanë aplikuar të bashkuar, kryesisht për serat.

“Kemi sot 272 grupime fermerësh, grupimin me të madh e zë sera dhe më pas blegtoria dhe nafta. Tek nafta janë grupimet me të mëdha. Numri i madh i aplikimeve ne na ndihmon në nxitjen e fermerëve për t’u marrë me serat, edhe ai që ka një synim, nesër t’a bëj 2 apo 4 dhe të shkojë te kapi 1 hektar. Por vendosëm edhe një kriter që edhe ato domate që do të mbillen do përdorin të njëjtin fidan, që prodhimi të jetë i njëjtë dhe të kemi prodhim për treg. Të rritet sasia e prodhimit”, tha zëvendësministri.
Këtë vit, për skemën e naftës fermerët do të marrin paratë në llogarinë bankare, në varësi të sipërfaqes që do të mbjellin e kulturës që kultivojnë, dhe jo naftë me bidonë si vitet e kaluara.

Por si do të bëhet shpërndarja e parave për fermerët që kanë aplikuar të bashkuar?

“Paratë në fund i shkojnë secilit për numrin e krerëve për sasinë e mbjellë, apo për sipërfaqen e mbjellë me sera. Nëse ke një dynym për aq do të marrësh. Çdo fermeri do t’i shkojë në llogarinë e tij sasia e naftës e konvertuar në vlerë lekë, për sipërfaqen e mbjellë”, shprehet Jaupllari.
Zëvendësministri Jaupllari shpjegon se puna e fermerëve nuk përfundon me aplikimin.

“Ata duhet të kujdes kur të merren në telefon dhe t’u kërkohet që të paraqiten në zyrat e AZHBR-së, për të plotësuar dokumentet. Me pas është faza e tretë e kalkulimet të dokumentacionit, dhe më pas faza e katërt ajo e verifikimit në terren”, u shpreh zëvendësministri.
Vetëm pasi të përfundojnë këto faza dhe të shpallen fituesit, do të nisë dhënia e parave për fermerët.

“Mund të disburosohen të gjitha në një kohë ose pjesë-pjesë”, tha Jaupllari.
Në dispozicion të Skemës Kombëtare këtë vit janë 3.3 miliardë lekë, ku rreth 1.2 miliardë lekë do të përdoren për naftën pa taksa. Por Ministria e Bujqësisë sqaron se në qershor do të kërkojnë fonde shtesë nga buxheti i shtetit për ta çuar skemën në 6 miliardë lekë, që të përfitojnë të gjithë fermerët aplikues.