DURRËS, 24 shtator 2013 – Dendësohen vizitat e anijeve të mëdha turistike në Durrës. Sikurse bën të ditur Vilma Hoxha e zyrës së shtypit e drejtorisë ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD) sha, më 25 shtator 2013 paradite në portin e Durrësit mbërrin kroçera Azamara Quest, me 660 turistë nga të gjithë kontinentet. Anija turistike do të ankorohet në orën 7.00 në kalatën 5 dhe APD sha ka marrë masat për bregëzimin dhe lehtësimin e lëvizjes së automjeteve pritëse dhe të vetë turistëve që do të vizitojnë qytetin bregdetar. Mësohet se shumica e vizitorëve janë anglishtfolës: amerikanë (213 veta), neozelandezë (109 veta), britanikë (90 veta kanadezë (58 veta) dhe australianë (48 veta). Nuk mungojnë edhe turistë nga Norvegjia, Japonia, Kroacia, Danimarka, Brazili, Kili, Argjentina, Venezuela, Suedia, Portugalia, Singapori, Hong Kongu dhe Zvicra. Kroçera, e cila lundron gjatë natës, vjen nga Dubrovniku (Kroaci) dhe në orën 20.00 do të niset për në Ravena (Itali). Pjesa mesdhetare e turit ka nisur më 21 shtator në Venecia dhe do të përfundojë po atje ditën e diel, pas vizitave në porte të ndryshme të Italisë dhe Kroacisë, përfshirë edhe Durrësin.

Info

Kroçera ka një tonazh 30,277 tonë, gjatësi 181 metra. Azamara Quest transporton rreth 710 udhëtarë (kapaciteti i plotë) plus 410 veta ekuipazhi.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/