*Mbledhja e Këshillit Bashkiak në Durrës është planifikuar nesër (të mërkurën) në orën 17:00 pasdite
*Projektvendimet që janë parashikuar në rendin e ditës për miratim, përbëjnë edhe “thembrën e Akilit”, të funksionimit të qeverisjes vendore
24 nëntor 2015 – Bashkia e Durrësit ka hedhur për diskutim e miratim në Këshillin Bashkiak paketën fiskale të vitit 2016. Kjo paketë përfshin taksat dhe tarifat vendore në qytetin e Durrësit, si për familjarët ashtu edhe për biznesin. Paketa përcakton qartë detyrimet që duhet të paguajnë konsumatorët familjarë dhe biznesi, temë kjo me një përqendrim shumë të madh të vëmendjes nga i gjithë opinioni publik. Për më tepër që kryebashkiaku Vangjush Dako ka deklaruar uljen me 30 % të taksave vendore.
Një tjetër pikë e rëndësishme është propozimi i bërë për miratimin për aplikim dhe ndjekje procedurash nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës sh.a pranë Entit Rregullator për ndryshimin e tarifave të shitjes me shumicë dhe pakicë të ujit për konsum publik. Sipas burimeve, Ujësjellësi ka propozuar rritjen e tarifave të ujit në qytetin e Durrësit.
Një tjetër pikë e nxehtë është propozimi i bërë për shpalljen e emergjencës mjedisore për menaxhimin e mbetjeve ne territorin e Bashkisë Durrës dhe marrjen e masave për përmirësimin e situatës. Nuk dihet se cila situatë konsiderohet emergjencë mjedisore, dalja në breg e tonelatave mbetje hidrokarburesh dhe dërgimi i tyre në sistemin e kanalizimeve, apo fusha e mbetjeve në Porto-Romano.
Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës është privatizimi i shërbimit të pastrimit në qytetin e Durrësit. Për vite me radhë është folur për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje e cila mbahet në këmbë nga taksat e qytetarëve.
Prej së paku një muaji, të djathtët i kanë paraprirë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, duke deklaruar se do të bëjnë opozitë të fortë, madje “ tym e zjarr” ka qenë motoja e tyre.
/K.H. portali DurresLajm/