TIRANE, 6 qershor 2013 – Me ftesë të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Visar Zhiti dhe nën kujdesin e lartë të Kryeministrit Z.Sali Berisha, është ftuar për një vizitë zyrtare kantautori i mirënjohur Italian Z.Ricardo Cocciante, emblemë e muzikës së sotme italiane, mentori që i dha një mbështetje të fuqishme këngëtares sonë Elhaida Dani, fituese e “Voice of Italy'. 

Kjo vizitë organizohet në vlerësim dhe falenderim të kantautorit, i cili e udhëhoqi dhe e ndoqi me përkushtim dhe ndjeshmëri të pazakontë, performancën e saj në rritje. 

Riccardo Cocciante dhe Elhaida Dani do të mbërrijnë në Tiranë nesër më datë 7 qershor, ku do të priten nga autoritetet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve. 

Në ambjentet e institucionit ai do të takohet me Ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z.Visar Zhiti, ku do të organizohet dhe një konferencë për shtyp. 

Ditën e shtunë date 8 qershor në mjediset e Presidencës Kantautori do të dekorohet nga Presidenti i Republikës së Shqiperisë.