Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra me nisjen e “Censit 2023 te Popullsisë dhe Banesave”, u ka kërkuar të gjithë besimtarëve katolikë që të deklarojnë besimin e tyre për regjistrimin e të dhënave.

Komunikimi i plotë:

Të dashur besimtarë katolikë,

Me anë të këtij komunikimi dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se me datë 18 shtator 2023 do të nisë censi (regjistrimi) i popullsisë dhe i banesave nga ana e INSTAT-it (Institutit të Statistikave të Republikës së Shqipërisë) në të gjithë vendin, i cili rregullohet nga Ligji 140/2020. Ai është një proces që shihet si i nevojshëm për të kuptuar më mirë situatën shoqërore dhe ekonomike në të cilën gjendet popullsia e një vendi në momentin aktual.

Në bazë të ligjit (Ligji 140/2020, neni 5, pika 1), të gjithë janë të detyruar t’i përgjigjen pyetësorit të hartuar për këtë qëllim nga INSTAT-i. Ne ju inkurajojmë që ta kryeni detyrën tuaj si qytetarë të vendit ndaj Institucioneve duke iu përgjigjur pyetësorit.

Gjithashtu, duam të tërheqim vëmendjen tuaj ndaj pyetjeve rreth besimit fetar dhe fesë, të cilat mbajnë përkatësisht nr. 168 dhe nr. 169 të pyetësorit brenda Modulit I me titull Informacion individual.

Detyrimi i përgjithshëm për t’u përgjigjur rreth atyre pyetjeve ka edhe opsionin: “Unë preferoj të mos përgjigjem”, pasi është një e drejtë e secilit (Ligji 140/2020, neni 4, pika 2) që në lirinë e tij, pyetjeve të atilla t’ju përgjigjet edhe duke zgjedhur opsionin e lartpërmendur. Ne si ipeshkvij jemi të bindur se një besimtar njihet nga frytet e jetës së tij (Lk 6, 44) dhe jo vetëm nga një pohim rreth përkatësisë së tij fetare.

Megjithatë, pa dashur të cënojmë aspak lirinë e askujt, ne i ftojmë ngrohtësisht besimtarët katolikë, të cilët janë të bindur vërtetë se i përkasin këtij besimi dhe duan t’ju përgjigjen pyetjeve që:

Për pyetjen 168 (Moduli I – Informacion individual) ku shkruhet:

A praktikon ose i përket një feje ose një besimi të caktuar? Të shënoni “Po”.

Për pyetjen 169 (Moduli I – Informacion individual) ku shkruhet:

Cila është feja që ndjek ose i përket? Të shënoni “I krishterë – katolik

Duke ju uruar çdo të mirë, ju përshëndesim përzemërsisht.

Në Krishtin,

+ Angelo Massafra o.f.m.

Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult

President i KISH-it