PRISHTINE– Në mëngjesin e së hënës pritet të nisë zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit në dy pikat e tjera kufitare me Serbinë, në Dheun e Bardhë dhe në Bërnjak.
Gjatë ditës kanë vazhduar punimet te Dheu i Bardhë, ku autoritet serbe dhe ato kosovare kanë vendosur kontejnerët dhe pajisjet e nevojshme për nisjen e zbatimit të IBM. Kjo marrëveshje pritet të zbatohet si në pikat e tjera kufitare, duke mos i respektuar parimet themelore të IBM. Krejt çfarë do të ndodhë është afrimi fizik i objekteve kufitare. Pos kësaj, procedurat do të mbesin të njëjta, pasi që të dyja policitë, si e Kosovës, ashtu edhe e Serbisë do të vazhdojnë kontrollet e nevojshme. Njësoj si në pikat e tjera kufitare, as te Dheu i Bardhë nuk janë vendosur flamuj e as stema shtetërore.
Dy pikëkalimet e para që janë hapur pas marrëveshjes IBM janë ajo në Merdarë dhe në Jarinjë.