Temperaturat pritet të ulen nga mbrëmja e sotme dhe më së shumti nga dita e nesërme.

Sinoptikanët parashikojnë që ditën e nesërme në shumë zona të vendit të ketë edhe mini-stuhi të shoqëruara me reshje shiu.

Megjithatë, meteorologia Lajda Porja u shpreh në “TvKlan” se vija bregdetare do të shpëtojë nga reshjet. Por ajo theksoi se pritet që të ketë forcim të erës.

“Sot në fakt në mesditë presim që të kemi një rënie me dy gradë në disa zona të izoluara dhe tre gradë, kjo do të bëjë që termometri të ngitet sërish në 39 apo 39.5 gradë. Një freskim shumë i lehtë, megjithatë do të ndihet akoma nxehtë. Në disa zona kryesisht në verilindje dhe juglindje të vendit pritet që të kemi rrebeshe shiu, do të ketë ministuhi breshëri pothuajse në të gjithë zonën lindore të Shqipërisë. Ndërkohë shpëton vija bregdetare dhe zonat e ulëta që do të jenë pa reshje. Megjithatë vija bregdetare, sot pas mesdite dhe kryesisht ditën e nesërme do të ketë një forcim të menjëhershëm të parametrit të erës, pra priten mini-stuhi ere duke sjellë kështu momente të shkurtra me një erë të fortë si edhe dallgëzim të lartë në brigjet, kryesisht brigjet e Jonit. E mërkura dhe e enjtja do të kenë rrebeshe shiu të izoluara në zonat malore. Nesër rrezikohen edhe disa zona të ulëta, kryesisht qarku i Elbasanit, rrethinat e Tiranës, mali i Dajtit, megjithatë është freskim i motit krejt i përkohshëm. Duke filluar që nga e premtja dhe fundjava mbyllet muaji Korrik me temperatura të larta. Vlerat që priten në vijim do të jenë jo më shumë se 39 apo 40 gradë”, tha sinoptikania.