Tiranë, 27 shkurt 2014 – Drejtuesit e furgonëve 8+1 do të mblidhen të premten në Tiranë për të protestuar në orën 12.00 para kryeministrisë, Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Brendshme. Protesta është lajmëruar nga kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja. Kalaj i kërkoi edhe njëherë qeverisë që të ulet të dialogojë dhe të nënshkruajë një pakt social me këta shoferë. Në të njëjtën kohë ai u bëri thirrje të gjithë të diskriminuarve dhe të larguarve nga puna si dhe deputetëve të marrin pjesë në protestë.
Kërkesat e drejtuesve të furgonëve 8+1 mbeten të njëjta. Ata kërkojnë të lejohen të qarkullojnë dhe të kthehen me pasagjerë nga destinacionet që shkojnë.
“Protesta do zhvillohet në 12:00 , duke u nisur nga sheshi “Nënë Tereza në drejtim të kryeministrisë. Qeveria, ministria e Transporteve të ulet me përfaqësuesit e veturave 8+1 dhe të bashkimit të sindikatave të pavarura shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjes në të cilin të deklarohet tërheqja e urdhrit të dhënë. Që nga viti 1998 ky ligj i dalë nuk është zbatuar nga ana e tyre për vetë kushtet aktuale që ka Shqipëria.”- deklaroi Kalaja.
Sipas Kalasë, nëse edhe pas kësaj proteste qeveria nuk do të reagojë ai tha se do të vijohet me masa të tjera nga drejtuesit e mjeteve, duke nisur nga bllokimi i akseve kryesore rrugore dhe deri në grevë urie.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





