Deputeti i Partisë Demokratike, Dashamir Shehi ka konfirmuar se do marrë pjesë në protestën e ditës së nesërme, të organizuar nga Partia Demokratike. Për ‘Abcnews’, ai është shprehur se në protestë do të shkojë si qytetar e jo si deputet.
“Nuk marr përsipër gjëra që nuk janë të miat. Unë shkoj si qytetar. Nuk është rëndësia si do të bëhet, protesta ka një qëllim: të tregojë që mijëra qytetarët janë kundër kësaj qeverie dhe të tregojë që ka shpresë”, u shpreh Shehi.
Ai shtoi se nuk do të hipë në tribunën e fjalimeve, duke nënvizuar se pavarësisht ndasive në opozitë atë e bashkon fakti se janë kundër qeverisë që po e shkatërron çdo ditë Shqipërinë.
“E ka bërë mirë që e ka bërë kështu. Po ta kishte bërë me formulë tjetër unë nuk do shkoja. Më e mira është kështu. Thërrit qytetarët, qytetarët përgjigjen. Unë shkoj si qytetar, jo për të hipur në tribunë. Nuk ndajmë shumë gjëra, por ndajmë një gjë, që ky njeri që po e drejton Shqipërinë po e dhunon, po e shkatërron Shqipërinë. Unë besoj që mos një ditë, një ditë do ia dalim sepse ka shkuar aty ku s’mban më”, tha Shehi.