Ora 18.00 e të enjtes do të shënojë nisjen e protestës së rradhës së opozitës. Në ndryshim nga protesta e pak ditëve më parë, protesta e ditës së nesërme pritet të zgjasë 2 orë. Do të nisë në orën 18.00 dhe pritet të mbyllet në orën 20.00.
Në Durrës pritet të mbahet i bllokuar për 2 orë aksi Durrës-Plepa, në hyrje të autostradës, duke bllokuar tërësisht lëvizjen në drejtim të jugut dhe kryeqytetit në të dy kahet e këtij segmenti. Drejtuesit e mjeteve që kanë parashikuar të kalojnë në këtë aks gjatë kësaj fashe orare është mirë të përdorin rrugë alternative, për të mos mbetur të bllokuar në trafik për orë të tëra.
Bllokimi i rrugës për një orë më 25 prill shkaktoi rradhë kilometrike automjetesh, por nuk u regjistrua asnjë incident mes protestuesve dhe drejtuesve të mjeteve.
Efektivët e policisë e ndoqën nga afër protestën, por nuk qe e nevojshme ndërhyrja e tyre. Protestuesit ndezën flakadanë dhe përsëritën thirrjen: Rama ik, ritual që pritet të ndiqet edhe ditën e nesërme.
Kujtojmë se në protestën e para disa ditëve ishte e pranishme kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Në ndryshim nga një javë më parë, kur opozita bllokoi vetëm 5 akse, pasditen e së enjtes protesta do të shtrihet në 12 qarqet e vendit. Duket se opozita ka vendosur të intensifikojë aktet e mosbindjes civile.





