Në 20 mars festohet në të gjithë botën, Dita e Lumturisë. Kjo ditë nisi të festohet për herë të parë në vitin 2012 dhe u shpall si e tillë nga OKB. Qëllimi ishte që lumturia të jetë një objektiv i të gjithë shteteve.
Psikologët, biokimistët apo genetistët kanë kërkuar për vite të tëra burimin e lumturisë, sekretin e saj.
Sipas disa ekspertëve, për të arritur lumturinë është më e lehtë nga çfarë mendohet.
Nganjëherë aktivitetet e thjeshta, ato plot kreativitet dhe relaksuese si piktura, të shkruarit, gatimi i një recete të re, apo punimi me dorë ose në makinë qepëse mund të na falin lumturi. Këtë të paktën shpjegon një studim i universitetit të Otagos, në Zelandën e re, i publikuar në revistën “The Journal of Positive Psychology”. Ndërkohë, sipas disa ekspertëve nga Kalifornia, ka një moshë për lumturinë dhe zakonisht e arrin pikun pas moshës 40 vjeç.
Mosha më e stresuar është ajo rreth të 20-ve dhe të 30-ve, ndërsa më vonë me kalimin e viteve njerëzit gjejnë një ekuilibër në jetë dhe janë më të qetë dhe të lumtur.
Ndoshta për recetën e lumturisë duhen pyetur danezët, sepse ata ishin populli më i lumtur në botë në vitin 2016, sipas raportit botëror të lumturisë.
Në vendet e para të këtij raporti ndodheshin vende me nivel të lartë jetese si Zvicra, Islanda, Norvegjia dhe Finlanda.
Jashtë 10-shes së parë mbeteshin SHBA-ja, Gjermania, Britania e madhe dhe Franca.
Ndërsa neve shqiptarëve na mbetet vetëm të qeshim pak më shumë nesër. Me të qeshurën nuk do të rregullojmë situatën ekonomike të vendit, korrupsionin apo krizën politike që po mban të mbërthyer prej mëse 1 muaji shqiptarët, por të paktën mund të bëjmë pak më të lumtur veten tonë, të paktën për një ditë, apo edhe më pak…
M.P.