Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se mbështet planin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, duke e quajtur atë një “hap kritik” drejt përfundimit të luftës dhe arritjes së paqes në Lindjen e Mesme.
“Unë besoj se sot po bëjmë një hap kritik drejt përfundimit të luftës në Gaza dhe përgatitjes së terrenit për përparimin dramatik të paqes në Lindjen e Mesme, mendoj përtej Lindjes së Mesme”, tha Netanyahu.
“Unë mbështes planin tuaj për t’i dhënë fund luftës në Gaza, i cili arrin qëllimet tona të luftës. Ai do t’i kthejë Izraelit të gjithë pengjet tona, do të çmontojë aftësitë ushtarake të Hamasit dhe sundimin e tij politik dhe do të sigurojë që Gaza të mos përbëjë kurrë më kërcënim për Izraelin”, shtoi ai.
Ndërsa Presidenti Donald Trump tha të hënën se “është koha” që Hamasi të bjerë dakord për një marrëveshje paqeje, ndërsa përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje shumëplanëshe për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të filluar rindërtimin e rajonit.
“Është koha që Hamasi të pranojë kushtet e planit që kemi paraqitur sot”, tha Trump, duke shtuar se mund të ketë gatishmëri të re pas muajsh me viktima të rënda. “Ky është një Hamas i ndryshëm nga ai me të cilin kishim të bënim, sepse janë vrarë mbi 20 mijë veta.”
“Udhëheqja e tyre është vrarë tri herë, kështu që keni të bëni me njerëz të ndryshëm nga ata me të cilët kemi të bëjmë ne gjatë katër viteve, pesë viteve të fundit”, vazhdoi ai.
Trump pretendoi se Izraeli dhe aleatët e tjerë rajonalë kanë rënë dakord me propozimin e tij prej 20 pikash, por se ata do të duhet ende ta bindin Hamasin që ta nënshkruajë. Më parë ai paralajmëroi se nëse Hamasi e refuzon marrëveshjen, SHBA-të do të mbështesin vazhdimin e ndërhyrjes së Izraelit në Gaza.





