Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka lavdëruar Presidentin amerikan Donald Trump për goditjet e fundit ndaj objekteve bërthamore të Iranit, duke e cilësuar si “liderin që do të mbetet në histori për ndalimin e regjimit më të rrezikshëm në botë”.
Netanyahu falënderoi publikisht SHBA-të për ndërhyrjen, duke theksuar se Amerika ka fuqinë dhe mjetet për të udhëhequr Lindjen e Mesme drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe paqësore.
“Presidenti Trump do të mbahet mend për guximin e tij. Ai përballoi regjimin më të rrezikshëm dhe armët më të rrezikshme,” – u shpreh Netanyahu.
Premtimi i mbajtur ndaj qytetarëve izraelitë
Në një mesazh drejtuar popullit hebre, Netanyahu theksoi se ka qëndruar besnik premtimeve të tij. Ai kishte paralajmëruar më herët se, përmes diplomacisë ose veprimeve ushtarake, do të shkatërronte programin bërthamor të Iranit.
Iranianët kundërpërgjigjen – 35 të plagosur në Izrael
Mëngjesin e së dielës, Irani reagoi me lëshimin e njëzet raketave balistike ndaj territorit izraelit. Sulmet ndodhën rreth orës 07:30–08:00, duke goditur zona të banuara në Tel Aviv dhe qytetin Nes Tsiona. Katër raketa shënuan goditje të drejtpërdrejta, ndërsa një raketë izraelite mbrojtëse ra mbi Haifa.
Sipas radios shtetërore izraelite, në shënjestër ishin Aeroporti Ndërkombëtar i Tel Avivit, Instituti “Weizmann” në Rehovot dhe disa struktura të tjera me rëndësi kritike. Raportet televizive flasin për dëme të konsiderueshme materiale në ndërtesa. Bilanci paraprak tregon për 35 të plagosur.
Ndërkohë, Irani raportoi se Izraeli kishte bombarduar infrastrukturë ushtarake në periferi të qytetit Tabriz, në veriperëndim të Iranit.
A pati sukses sulmi ndaj objekteve bërthamore?
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse sulmet amerikane arritën të shkatërrojnë plotësisht objektet bërthamore iraniane. Zyrtarë iranianë pretendojnë se sasi të mëdha të uraniumit të pasuruar ishin zhvendosur nga Fordo para bombardimeve.
Një zyrtar i lartë izraelit tha për televizionin publik se po priten imazhet më të fundit satelitore nga Fordo, Natanz dhe Isfahan, për të vlerësuar nëse objektivat janë shkatërruar me të vërtetë.
Ndërkohë, Arabia Saudite konfirmoi se nuk është regjistruar ndonjë rritje e rrezatimit radioaktiv në vendet e Gjirit Persik, duke qetësuar frikën për ndotje të mundshme pas sulmeve.