Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pranuar ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për t’u bashkuar në nismën e quajtur si “Bordi i Paqes”.
Zyra e kryeministrit izraelit njoftoi të mërkurën në rrjetet sociale se Netanyahu do të jetë pjesë e kësaj strukture, pavarësisht se ajo u prezantua si pjesë e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin, e cila synon përfundimin e luftës shkatërruese në Gaza.
Sipas vizionit të Trump, në këtë organizëm janë ftuar shumë liderë botërorë dhe ai pritet të mbikëqyrë “ndërtimin e kapaciteteve qeverisëse, marrëdhëniet rajonale, rindërtimin, tërheqjen e investimeve, financimet në shkallë të gjerë dhe mobilizimin e kapitalit” në Rripin e Gazës.
Megjithatë, pjesëmarrja e Netanyahu-t ka shtuar shqetësimet për paanshmërinë e këtij bordi, i cili do të drejtohet nga vetë Trump dhe ku përbërja e tij do të jetë nën kontrollin e presidentit amerikan.





